Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh edhe deputet nga radhët e kësaj partie, Besnik Tahiri vlerëson se Qeveria Kurti e ka në plan qeverisës projektligjin e pagave, por që sipas tij, kjo qeveri, përveçse është duke e zvarritur këtë projektligj, ajo është duke e mbyllur tërë procesin. Në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net, Tahiri vlerëson se është e paqartë që procesi i projektligjit të pagave të prolongohet, ngase sipas tij, ky proces gëzon mbështetje të gjerë politike dhe publike.
Ani pse Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë Ligjin e pagave, të hartuar në Qeverinë Haradinaj, Tahiri thotë se AAK-ja është zotuar për të mbështetur procesin e mëtejmë në mënyrë që të sjellë barazi në pagë.
“Pakoja e Ligjeve të Reformës së Administratës Shtetërore, ka qenë një proces i prolonguar gjatë, që nga 2009, e pastaj në 2012, ku është tërhequr nga qeveritë. Në 2018, në Qeverinë Haradinaj, në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore, ky proces është dinamizuar duke marrë epilogun, pas një procesi të vështirë, me konsultime të gjera, por edhe me përfshirjen e shumë profesionistëve vendor dhe ndërkombëtar”, tha Besnik Tahiri.
Ligji i pagave është miratuar njëherë në shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi muajin pasues. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij, në janar të 2020-ës, institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.
Tahiri tutje thotë se projektligji i pagave, si rrjedhojë e shumë ndërhyrjeve, amendamenteve në Kuvend pati pësuar ndryshime, në veçanti pas përfshirjes së Institucioneve Kushtetuese, dhe sipas tij, “këto dhe para shikueshmëria e pagës, bënë që të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese”.
“Asokohe, edhe tashmë, personalisht, Grupi Parlamentar dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë zotuar që do ta mbështesin këtë proces, jo vetëm për sjellë, barazi në pagë, por edhe për të përmbyllur reformën. Qeveria Kurti, edhe pse kishte planifikuar në agjendën legjislative vitin e kaluar miratimin e këtij Ligji, e njëkohësisht, e ka pjesë të planit qeverisës, përveç zvarritjes, është duke e përcjellë me një mbyllje të plotë të procesit, pa konsultime, e me shumë paqartësi. Shpërfillja e Ligjit të Pagave, përveçse lenë në gjysmë procesin e reformës, ka implikime të mëdha qoftë në ruajtjen e kuadrit profesional, por edhe të vitalitetit të administratës shtetërore”, vlerëson Tahiri.
Veç të tjerash, Tahiri konsideron se është e pakuptimtë që një proces, pra i projektligjit të pagave të prolongohet, e që sipas tij kjo është duke ndodhur.
Veç kësaj, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së thotë se kjo parti do të ofrojë tërë mbështetjen, në mënyrë që ky projektligj të jetë sa më shpejt në Kuvend, duke thënë se ata i mbështesin të drejtat e sindikatave në mënyrë që të informohen e përfshihen për të avokuar atë se çfarë përfaqësojnë.
“Është krejt e pakuptimtë, që një proces që gëzon mbështetje të gjerë politike dhe publike, të prolongohet siç është duke ndodhur, Qeveria, është tejet e rëndësishme të informojë, e komunikojë me palët në proces, për t’i njohur e gjetur zgjidhje mbi problemet në proces. E kemi të qartë kompleksitetin e këtij procesi, megjithatë, kjo qeveri e kishte më të lehtë, ngase tashmë, ekziston një bazë e konsoliduar e ligjit, por edhe strukturës së pagave. AAK, ashtu siç kemi deklaruar, ofron gjithë mbështetjen që ky projektligj të vije sa më shpejt, në Kuvend ashtu siç mbështesim kërkesat e drejta të sindikatave për t’u informuar, përfshirë, e avokuar për ata që përfaqësojnë”, thotë deputeti Tahiri.
Ndërkaq, lidhur me përfshirjen e punëtorëve të sektorit privat në këtë projektligj, deputeti Tahiri konsideron se Qeveria duhet të hartojë një paketë të gjerë ligjore e financiare, duke përfshirë në të sigurinë në punë, kontratat si dhe pagën minimale, pasi sipas tij “cikli i krizës” ka prodhuar efekte zinxhirore për shumë sektorë, ku sipas tij ka ndikuar ngritja e çmimit e cila i ka shtyrë qytetarët që t’i ulin investimet, dhe se sipas tij “është Qeveria ajo që duhet të vlerësojë shpejt këtë ndikim”.
“Përderisa, sa u përket punëtorëve në sektorin privat, është e domosdoshme që qeveria, të hartojë një paketë të gjerë qoftë ligjore dhe financiare, nisur nga siguria në punë, kontratat, pagë minimale që indeksohet mbi koston e jetesës, e deri tek lehtësirat fiskale e tatimore për bizneset. Cikli i krizës, që tashmë ka dhënë efekte të mëdha, mund të prodhojë efekte zinxhirë, tashmë për shumë sektorë, ngase ngritja e çmimeve do të shtyjë qytetarët të ulin investimet, e në veçanti qeveria duhet të vlerësojë shpejtë, ndikimin e tyre në parashikimet e investimeve kapitale publike. Ngase, dështimi i operatorëve që të ofertojnë me planifikimet, do të rrezikojë të godasë shumë biznese dhe të punësuar”, thotë Tahiri.
Në vitin 2019, Insititucioni i Avokatit të Popullit e kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Paga në Sektorin Publik, ku Avokati i Popullit pati konsideruar se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.
Ligji i ri i pagave ishte miratuar në vitin 2019 në Kuvendin e Kosovës, dhe kishte hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori i këtij viti.
Ndërsa, më 12 shtator ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik, por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.
Pas miratimit në Qeveri, ligji duhet të kalojë në Kuvend, të nënshkruhet nga presidentja dhe të dalë në gazetën zyrtare.
Projektligji për paga parasheh rritje të pagave në bazë të koeficientit, apo detyrave që kanë punonjësit publikë.