Fjalë Kyçe

Rasti “Toka”, shembull i dështimit të sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Rasti “Toka”, shembull i dështimit të sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Rasti i njohur si “Toka”, në të cilin pretendohet se më shumë se 50 persona kanë bashkëpunuar për të përvetësuar prona shtetërore te personat fizik dhe duke shkaktuar dëm të madh buxhetit të shtetit, cilësohet si një ndër rastet më të mëdha që e ka iniciuar drejtësia pas shpalljes së pavarësisë e tutje.

Në këtë rast për krim të organizuar, korrupsion, shpërlarje të parave e vepra të tjera penale janë akuzuar Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Sabedin Haxhiu, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti, Hajrullah Berisha, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni, Shqipe Maxhuni, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlija, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi, në mesin e të cilëve edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, që sipas Prokurorisë Speciale, ka qenë edhe udhëheqës i këtij grupi kriminal.

Azem Syla dhe të tjerët dyshohet se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për 30 milionë euro.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale si: Krim të organizuar, Keqpërdorim i pozitës zyrtare, Pastrim i parave, Marrje të mitos, Mashtrim i rëndë, Mashtrim në detyrë, Nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, Legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe Evazion fiskal.

Ky rast kishte filluar i udhëhequr nga Prokuroria e Misionit të Bashkimit Evropian-EULEX, që rezultoi me arrestime spektakulare të të dyshuarve, bastisje në lokacione të ndryshme e me procedurë disa javore të mundësisë hetuese të veçantë, e cila procedurë nuk aplikohet shpesh në Kosovë, por që bëhet në rastet e komplikuara e ku ekziston rreziku i zhdukjes së provave.

Pas zhvillimit të hetimeve, prokurori i PSRK-së, kishte vendosur që për këtë rast të i ngrit dy aktakuza, njëra me 22 të akuzuar, në të cilën ishte edhe ish-deputeti Syla dhe tjetra me 24 të akuzuar, e njohur ndryshe si “Toka 2”.

Pas përfundimit të mandatit të EULEX-it, ky mision nuk kishte arritur as ta fillonte këtë proces, kurse pasi kishte kaluar te vendorët, pavarësisht që ishin zhvilluar disa seanca dhe ishte gati në fazën e fundit të procedurës në shkallë të parë, avancimi i kryetarit të trupit gjykues në Gjykatën e Apelit, kishte ndikuar që rasti të kalonte te një gjyqtarë tjetër, i cili do të duhej të niste procesin nga pika fillestare, e cila nuk u bë asnjëherë.

Në këtë mënyrë, ky rast pavarësisht se ka një aktakuzë të ngritur tash e gati pesë vite, është akoma në fazën fillestare të gjykimit dhe tashmë e ka humbur edhe rëndësinë çfarë e kishte në të kaluarën.

Duke marrë parasysh këto, ky është prej rasteve më reprezentative, në të cilat dëshmohet se sistemi i drejtësisë ka dështuar ta gjykojë një rast me të cilin pretendohet se është shkaktuar dëm i madh për shtetin.

“Kalimi i këtij rasti nga EULEX te vendorët do të thotë përfundim i rastit”

Fillimisht, rasti “Toka”, ishte gjykuar nga trupi gjykues i udhëhequr nga EULEX-i, por akoma pa filluar procesi gjyqësor nga ta për shkak të ndërrimit të shpeshtë të gjyqtarëve, në shkurt të vitit 2018, kjo lëndë kaloi te gjyqtarët vendorë.

Për këtë vendim të EULEX-it, prokurori i rastit Danilo Ciccarelli ishte shprehur se kalimi i këtij rasti te vendorët do të thotë përfundim i rastit.

“Nuk jam i kënaqur me këtë vendim dh ky është vendim i padrejtë, këtë vendim nuk mund ta merr askush tjetër përveç kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it. Kalimi te vendoret është përfundim i këtij rasti dhe ne e dimë se pse”, kishte thënë ai në seancën e 20 shkurtit 2018.

Madje, ai e kishte konsideruar kalimin e këtij rasti te vendorët edhe si një dështim të madh të misionit të EULEX-it, në Kosovë.

“Ky është turp për EULEX-in, paaftësi për të dhënë drejtësi, ky është dështimi më i madh i EULEX-it e jo ato skandale të pretenduara që kurrë nuk kanë ndodhur. Si mundemi ne si prokuror e gjyqtar ta lejojmë paraburgim për të pandehurit për dy vite gati dhe papritmas vendosim të dorëzohemi”, kishte thënë prokurori Cecarelli.

Arrestimet, bastisjet dhe seancat e mundësisë së veçantë hetuese

Aksioni i përbashkët i 27 prillit 2016 i Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës për arrestimin e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës Azem Syla së bashku me 50 persona tjerë të dyshuar si grup kriminal, kishte përfshirë rreth 350 policë të cilët kishin bastisur mbi 40 lokacione në tërë Kosovën dhe kishin arritur të i arrestojnë 6 persona.

Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Azem Syla, pas lëshimit të urdhërarrestit ndaj tij dhe të tjerëve, ishte arrestuar më 29 prill të vitit 2016, i cili deri më 12 mars 2018 ishte nën masën e paraburgimit.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në fund të prillit të vitit 2014, kishte lëshuar aktvendimin për fillimin e hetimeve fillimisht ndaj 12 të akuzuarve, Azem Syla, Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu dhe Hajrullah Berisha.

Kurse, në prill dhe qershor të vitit 2015 si dhe në mars e prill të vitit 2016, ishte zgjeruar hetimi, duke u përfshirë edhe Avni Maxhuni dhe Ljubosha Vujoviq.

Në fazën hetuese të këtij rasti, ishin mbajtur disa seanca të mundësisë së veçantë hetuese ndaj ish – deputetit Syla, ish – kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë Nuhi Uka dhe 50 personave të tjerë.

Në këto seanca ishin dëgjuar disa dëshmitarë dhe me seancat e 21, 28 dhe 29 shtatorit të vitit 2016 me përfundimin e marrjes në pyetje të dëshmitarit të njohur si “Dëshmitari 2”, kishte përfunduar edhe faza e hetimeve të veçanta për këtë rast.

Aktakuza e PSRK-së – “Krimi me zhvatje të pronave shtetërore”

PSRK-ja, më pas, më 24 tetor të vitit 2016, ka ngritur aktakuzën në këtë rast, e cila ishte konfirmuar më 4 prill të vitit 2017.

PSRK ka ngritur dy aktakuza, njëra me 24 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish deputeti Azem Syla, i cili sipas PSRK-së, kishte qenë udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Zvarritjet e rastit nga EULEX-i

Ky proces nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje të vazhdueshme, të cilat kishin nisur nga koha kur rasti gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Më 12,13 dhe 15 dhjetor 2016, ishte mbajtur seanca fillestare në këtë rast, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Ish-kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedek, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë, të cilin vendim mbrojtja e kishte atakuar në Gjykatën e Apelit.

Lidhur me këtë, Gjykata e Apelit, më 26 tetor 2017, kishte nxjerrë aktvendim me të cilin kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë dhe në këtë mënyrë ka lënë në fuqi aktakuzën e Prokurorisë Speciale tetorit të vitit 2016.

Pas një pritje të gjatë nga seanca fillestare e cila ishte mbajtur në dhjetorin e vitit 2016, shqyrtimi gjyqësor në këtë rast që ishte paraparë që të filloi pas më shumë një viti, konkretisht më 9 janar 2018, nuk ishte mbajtur pasi që trupi gjykues nuk ishte në përbërje të plotë.

Por në seancën e 24 janarit 2018 ishte ndërruar përbërja e trupit gjykues, ku kryetar i trupit gjykues në vend të Arkadiusz Sedek do të ishte Petko Petkov, kurse gjykatësja vendore Nora Bllaca ishte zëvendësuar nga gjykatësi Vesel Ismajli, ndërsa anëtar i këtij trupi ishte edhe Vladimir Mikula, ndaj të cilit mbrojtja e Azem Sylës kishte kërkuar përjashtimin e tij, e cila kërkesë ishte refuzuar nga atëkohë kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi.

Më 1 shkurt 2018 Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte veçuar procedurën ndaj të akuzuarit në rastin “Toka”, ish-kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, me arsyetimin se i njëjti ka probleme shëndetësore.

Por, për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë të të akuzuarit Syla, seanca e 13 shkurtit 2018 ishte shtyrë kurse dy të tjerat, më 14 dhe 15 shkurt ishin anuluar.

Ndërkaq, më 20 shkurt 2018, lënda kaloi te vendorët, konkretisht nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalludra.

Zvarritjet e rastit nga drejtësia kosovare

Edhe pas kalimit të Rastit “Toka” tek vendorët, kjo lëndë ende është në procedurë dhe pa epilog.

Gjatë vitit 2018, është mbajtur vetëm 1 (një) seancë gjyqësore ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndërsa nëntë seanca të tjera kanë dështuar të mbahen.

Pas shumë dështimeve për të filluar shqyrtimi gjyqësor, përsëri më 29 qershor 2018 nuk kishte arritur të mbahet ky gjykim për shkak të mungesës së akuzuarve Shaban Sylës, Ilaz Sylës, Shqipe Maxhuni dhe Ndue Palushi, kurse seancat e 11 dhe 12 korrikut 2018 ishin anuluar për shkak të grevës së punëtorëve administrativ të gjykatave dhe prokurorive.

Për të shtatën herë kishte dështuar të mbahet gjykimi i këtij rasti me rastin e mungesës së prokurorit special, Abdurrahim Islami dhe dy nga të akuzuarit, Ilaz Syla dhe Mustafë Haliti.

Deri në këtë periudhë, palët nuk kishin mundur të japin fjalët e tyre hyrëse për shkak të dështimeve të mbajtjes së seancave.

Ndërsa, seanca e parë e këtij shqyrtimi ishte mbajtur më 3 shtator 2018, ku të gjithë të akuzuarit sërish janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e Prokurorisë, si dhe në këtë seancë, është veçuar procedura gjyqësore ndaj të akuzuarve Ilaz Syla i cili ishte arratisur pas marrjes së vendimit nga Gjykata e Apelit për vendosjen e tij në paraburgim, Hajrullah Berisha dhe Mustaf Haliti, për shkak të mungesës së tyre.

Edhe seanca e fundit e paraparë për vitin 2018 ishte shtyrë me kërkesë të akuzuarit Shaban Syla.

Që nga fillimi, ky rast është përcjellur me shumë seanca që kanë dështuar të mbahen për arsye të ndryshme, e edhe viti 2019 kishte filluar me dështime të seancave.

Seanca e 16 janarit 2019 ishte shtyrë për shkak të mungesës së disa avokatëve të cilët ishin me angazhime në Hagë, mungesa e të akuzuarve Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi dhe Lubisha Vojoviq ka qenë shkak i dështimit të seancës së paraparë për 12 mars 2019 kurse mungesa e të akuzuarit Ndue Palushi ka qenë shkak i dështimit të seancës së 16 majit 2019.

E pas shumë dështimeve, është mbajtur një seancë në qershor të 2019, ku është arritur të jepet fjala hyrëse në këtë rast, si dhe ishte njoftuar se akuzuara Shqipe Maxhuni kishte ndërruar jetë.

Për shkak se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka kushte teknike për dëgjimin e dëshmitarëve përmes vido-linkut, seancat e 11 dhe 18 shtatorit 2019 në rastin ‘Toka’, ishin mbajtur në Gjykatën në Gjilan, të cilat kishin qenë të mbyllura për publikun.

Ndërkaq, dy seanca të muajit shtator kishin dështuar për shkak të mungesës së disa mbrojtësve të akuzuarve, kurse për shkak se gjykata nuk kishte dërguar urdhëresa për sjellje nga njësiti i transportit për të akuzuarit Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi dhe Lubisha Vujoviq, kishte dështuar seanca e 28 tetorit 2019.

Në vazhdim, në rastin ‘Toka’ në periudhën nëntor 2019 – shkurt 2020 janë mbajtur 8 seanca.

Në seancat e 11, 20 dhe 27 nëntorit 2019 si dhe në seancat e 5, 12 dhe 17 dhjetorit janë dëgjuar disa dëshmitarë.

Kurse, në seancën e muajit janar 2020 ishte filluar me prezantimin e listës së provave kurse në shkurt kishte filluar faza që të akuzuarit të deklarohen lidhur me akuzat e PSRK-së, ku i pari që ka filluar të deklarohet ka qenë i akuzuari Azem Syla, i cili aktakuzën ndaj tij, e ka quajtur politike dhe të orkestruar nga Beogradi.

E seanca e paraparë për në qershor kishte dështuar për shkak të pandemisë, ku seanca ishte shtyrë për një afat të pacaktuar.

Rasti “Toka” kaloi në duart e 5 gjyqtarëve dhe 5 prokurorëve

Ashtu, siç u përmend më lartë, kjo lëndë kishte qenë në punë tek gjykatësit e Eulex-it, fillimisht tek Arkadiusz Sedek dhe më pas tek Petko Petkov, ndërsa pas kalimit të lëndës te vendorët ky rast gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra, por avancimi i gjyqtarit Kalludra ka ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

Dhe tani, kjo lëndë i është ndarë në punë gjykatësit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti.

Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Ndërkaq, kjo lëndë deri tani është përfaqësuar nga 5 prokurorë, fillimisht nga Danilo Ciccarelli, e më pas nga Abdurrahim Islami, Sylë Hoxha, Naim Abazi dhe Habibe Salihi.

Seanca e nisjes së gjykimit në rastin “Toka” është caktuar më 09 dhe 10 qershor 2022, pas më shumë se dy viteve nga seanca e fundit e mbajtur për këtë rast.

Dy të akuzuar të vdekur nga ngritja e aktakuzës e deri më tani

Edhe pse në aktakuzën e PSRK-së, bashkë me Sylen akuzoheshin edhe 21 persona, për 2 nga ta tashmë është pushuar procedura pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë akoma pa dhënë mbrojtjen e tyre për akuzat e prokurorisë.

Ish-Kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë Nuhi Uka, kishte ndërruar jetë më 28 shtator 2018, kurse gjykata në qershor të vitit 2019 kishte kuptuar që edhe e akuzuara Shqipe Maxhuni ka ndërruar jetë.

Kurse, për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e të akuzuarve Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Rasti “Toka 2”

Prokurori i EULEXIT-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihet si rasti “Toka 2”.

Në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni, Shqipe Maxhuni, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlija, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emerllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”.

Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.

Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emerllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emerllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim te të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.

Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija.

Për “shpëlarje të parave”, akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqip Krasniqi.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hedhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.

Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apelit duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.

Ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 ka kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Ndërsa, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërsa gjykimi do të vazhdojë për të akuzuarit tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, ku seanca e nisjes së shqyrtimit gjyqësor është caktuar më 20 maj 2022. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.