Piloti britanik i Mercedes, Lewis Hamilton, ka befasuar sot me deklaratën e tij, kur ka thënë se pasi të tërhiqet nga garat, do të nisë një jetë tërësisht të re, larg sportit dhe mbi të gjitha larg Formula 1.
“Unë nuk e di se çfarë më pret pasi të tërhiqem nga sporti. Në sportin tonë, zakonisht, ai që është marrë gjithë jetën me garat nuk ka asnjë profesion tjetër. Kështu jam edhe unë, që jam marrë me garat që kur isha 8 vjeç”, tha Hamilton.
Të qëndrojë në botën e Formula 1 si drejtues mund të ishte një zgjidhje e lehtë për Hamilton, por 5 herë kampioni i botës nuk ka dëshirë të dëgjojë më fjalën garë.
“Në atë pak kohë që kaloj aktualisht jashtë Formula 1 përpiqem të kuptoj atë që ndodh përreth meje dhe se çfarë dëshiroj të bëj. Të qëndroj në Formula 1 është gjëja më e lehtë, duke qenë unë krahu i djathtë i Toto Wolff. Por kam garuar për shumë kohë, ndaj dua të bëj diçka krejt ndryshe kur të largohem, të nis një jetë të re”, tha Hamilton.