Fjalë Kyçe

Kosova dështon në “Fadil Vokrri”, mposhtet nga Greqia

Kosova dështon në “Fadil Vokrri”, mposhtet nga Greqia

Kosova ka mbetur pa pikë nga ndeshja me Greqinë. Të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri”, Greqia fitoi me shifrat 1:0. Ishte kjo ndeshja e dytë e Kosovës në kuadër të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Kosova kishte fituar katër ditë më parë në udhëtim ndaj Qipros, por humbi ndeshjen që mund të jetë vendimtare për vendin e parë në grup.

Tani Greqia udhëheq me 6 pikë në grup, derisa Kosova është e dyta me tri pikë. Nga një pikë e kanë Irlanda e Veriut dhe Qipro që barazuan më herët të dielën.

Kosova nisi furishëm ndeshjen dhe krijoi disa raste shënimi. Arbër Zeneli hyri rrezikshëm në zonë, por portieri grek intervenoi me sukses. Më pas një goditje e Vedat Muriqit u bllokua.

Ngadalë grekët balancuan forcat dhe kaluan në epërsi 1:0 në minutën e 36-të. Pas një intervenimi jo shumë të sigurt të mbrojtjes kosovare, kapiten grek Tasos Bakasetas goditi fuqishëm nga distanca dhe topi përfundoi në rrjetë.

Raste tjera ka pasur në vazhdim nga të dy palët. Por gola të tjerë nuk u shënuan. Amir Rrahmani ishte më së afërti golit për Kosovën, por goditjen e tij me kokë e ndali portieri grek.

Gjërat u vështirësuan për Kosovën në minutën e 72-të, kur Fidan Aliti u përjashtua. Ai u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për shkak të një ndërhyrje të palejuar.

Fare në fund Kosova mbeti me nëntë lojtarë. Portieri Arianet Muriq u përjashtua direkt me të kuq në minutën e 91-të për lojë me dorë jashtë zonës.

Kosova gjithsej i krijoi 11 mundësi shënimi, ndërsa Greqia i kishte dhjetë. Por kjo nuk kishte shumë peshë sa i takon rezultatit përfundimtar.

Kjo ishte fitorja e dytë e Greqisë ndaj Kosovës. Tri ndeshje mes dy përfaqësueseve kanë përfunduar baras. Kosova është ende pa fitore.

Kosova ndeshjen e ardhshme e luan të enjten. E pret në “Fadil Vokrri”, përfaqësuesen e Irlandës së Veriut.