Më në fund është arritur marrëveshja dhe Galatasaray po bëhet me trajner të ri.
Gjiganti turk ka gjetur gjuhë të përbashkët me ish-legjendën e klubit Okan Buruk i cili sot pritet të mbërrijë në Stamboll për të nënshkruar kontratë dy vjeçare.
Gazeta e madhe turke Fanatik ka raportuar se Buruk i ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se transferimi i tij i parë duhet të jetë Vedat Muriqi.
Dyshja kanë qenë së bashku edhe te Rizespor ku Muriqi filloi shkëlqimin në elitën e futbollit turk para se t’i bashkohej Fenerbahces.
Reprezentuesi kosovar është nën kontratë me Lazion, por gjashtë muajt e fundit i kaloi me plot sukses në La Liga, ku shpëtoi Mallorcan pa rënë nga elita e futbollit spanjoll.
Prizrenasi zhvilloi 15 ndeshje në La Liga duke shënuar katër gola e duke asistuar në tre të tjerë.
Lazio është gati ta largojë yllin kosovar dhe tanimë i ka caktuar çmimin e largimit prej 15 milionë euro.
Përveç Galatasarayt në garë mbetet edhe Mallorca, por problemi mbetet çmimi i kërkuar nga Lazio.