Fjalë Kyçe

Duel gjigantësh – Distria në Zagreb mund ta sfidojë japonezen e pandalshme

Duel gjigantësh – Distria në Zagreb mund ta sfidojë japonezen e pandalshme

Distria Krasniqi është kampione olimpike në fuqi. Njëjtë edhe Uta Abe. Në Tokio, vitin e kaluar, japonezja Abe fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo. Tek e arta arriti në mënyrë impresive. Njëjtë si Distria në kategorinë deri 48 kilogramë.

Pasi ishin në kategori të ndryshme, Krasniqi e Abe nuk kanë mundur të përballeshin në Tokio. Por, mund të përballen në Zagreb, të premten.

Distria pas Lojërave të Tokios kaloi në kategorinë deri 52 kilogramë. Uta Abe ka mbetur në të njëjtën kategori. Derisa xhudistja kosovare ka rreshtuar sukseset në kategorinë e re, Abe nuk ka garuar që nga Lojërat Olimpike, të mbajtura verën e kaluar.

Ajo kthehet në gara në Zagreb, ku paraqitet edhe Distria dhe dy xhudistë të tjera kosovare. Në bazë të listës së bartësve, Distria e Abe mund të takohen në garën Grand Prix që mbahet prej të premtes e deri të dielën. Por vetëm nëse të dyja shkojnë në finale.

Në të vërtetë do të jetë befasi nëse Abe e Krasniqi nuk shkojnë në finale, aq më tepër që rrugët e tyre nuk kryqëzohen më herët. Pasi nuk ishte aktive, ylli i xhudos, Abe, ka rënë në ranglistë. Aktualisht është e nënta. Distria për shkak të ndryshimit të kategorisë ende nuk është në majë. Është e dhjeta. Në Zagreb, Abe është bartëse e tretë e Distria bartëse e katërt. Bartësja e parë është izraelitja Gefen Primo. E dyta është zvicerania Fabienne Kocher.

Nëse Distria e Abe janë në ditë të mirë, Primo e Kocher janë thuajse pa gjasa ndaj tyre. Por e paparashikueshme vlerësohet një luftë në mes të Abes dhe Distrisë.

Distria dhe trajneri i saj, Driton Kuka, synimin e kanë të qartë – të fitojnë titujt më të mëdhenj edhe në kategorinë deri 52 kilogramë. Dhe Abe aktualisht është pengesa kryesore. Trajneri Kuka i gëzohet një përballje të mundshme me japonezen impresive. Një garë si Grand Prix në Zagreb do të shërbente për të parë se ku qëndron Distria përballë Abes. Apo ku qëndron Abe përballë xhudistes pejane.

“Do të dëshiroja që Distria të luftonte me Aben në ndonjë garë si kjo në Zagreb”, ka thënë Kuka për KOHËN. Ai nuk do të jetë në Zagreb. Nga një përballje e Distrisë me Aben, Kuka do të merrte informata shumë të rëndësishme. Me shumë mundësi, Distria do të takohet me japonezen edhe në fazat finale të garave të mëdha, para së gjithash në Botëror e Lojëra të ardhshme Olimpike. Dhe një testim në këtë fazë do të ishte me peshë.

Abe e Distria kanë zhvilluar vetëm një luftë deri më tani. Në çerekfinale të Grand Slamit të Parisit në vitin 2018, Abe kishte shënuar fitore. Në fakt Distria hyri furishëm në luftë dhe kishte iniciativë. Me kalimin e kohës lufta u bë e barabartë dhe Abe nisi me sulme. Ishte japonezja që e “zuri” xhudisten tonë dhe shënoi fitore.

Ndërkohë Distria u fokusua në kategorinë deri 48 kilogramë dhe arriti deri në majë – fitoi të artën olimpike. Në kategorinë e re, Distria ka fituar të artën në Grand Prix të Portugalisë, të argjendtë në Grand Slam të Parisit, të bronztën në Evropian, të artën në Grand Slam të Tbilisit dhe në Lojërat Mesdhetare. Të gjitha këto rezultate i kishte këtë vit. Por një fitore ndaj Abes do të kishte vlerë të madhe për Distrinë e po ashtu për trajnerin Kuka.

Në gara individuale, Abe nuk ka pësuar që nga 22 nëntori i vitit 2019. Së fundi kishte pësuar nga francezja Amandine Buchard. Humbjen e parafundit e kishte në vitin 2016. Në fakt humbi edhe në Tokio, por në garën ekipore dhe në kategorinë deri 57 kilogramë.

Prejse ka nisur karrierën 22-vjeçarja i ka vetëm tri humbje të evidentuara. Pos të artës olimpike, Abe i ka edhe dy tituj të botës, në vitet 2018 e 2019. Ajo doli në skenë kur Majlinda Kelmendi, kryesisht për shkak të lëndimeve, po paraqitej fare rrallë në gara.

“Me Distria Krasniqin dhe Uta Aben kemi hyrje entuziazmuese në kategorinë deri 52 kilogramë. Marrë për bazë pozitat e tyre, ato mund të përballen në finale. Mungon Buchard dhe disa xhudiste tjera të renditura lart në ranglistën botërore. Por, do të jetë luftë e mirë nëse të dyja sigurojnë pozita finale”, ka shkruar sajti zyrtar i Unionit Evropian të Xhudos.

Francezja Buchard është e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo është një tjetër rivale që duhet të mposhtet nga Distria.

Buchard ka dy fitore këtë vit ndaj 26-vjeçares nga Peja. Ndërkohë me Aben, Buchard ka një fitore e plot gjashtë humbje.

“Tani nuk ka të bëjë vetëm me mua dhe Aben, pasi Distria shpejt do të jetë pjesë e top-grupit”, kishte thënë francezja Buchard pas garës në Paris këtë vit, ku fitoi ndaj kampiones kosovare.

“Krasniqi nuk e ka thënë fjalën e fundit këtu”, shkruante sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos në fillim të shtatorit, pas një dueli të shkëlqyer të Distrisë e Buchardit.

Një duel tjetër i shkëlqyeshëm i xhudos është në horizont, nëse Abe e Distria nuk befasojnë rrugës.