Fjalë Kyçe

Batatina falënderues për përkrahjen e madhe

Batatina falënderues për përkrahjen e madhe

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur shumë falënderues për përkrahjen që skuadra e tij kishte në ndeshjen ndaj Buduqnostit. Llapi barazoi 2:2 dhe nuk mundi të avancojë në Ligën e Konferencës.

“E falënderoj gjithë kombin shqiptar, të gjitha tifozëritë, të gjitha skuadrat shqiptare. Të gjithë që ishin sonte na kanë përkrahur. Emocioni që ishte në ‘Fadil Vokrri’ nuk mund ta përshkruaj. Dua t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë për mbështetjen që na kanë dhënë për 90 minuta. E kemi dhënë maksimumin, jemi munduar të përmbysim rezultatin, por goli i hershëm na largoi nga plani. Barazuam, por më pas pranuam edhe golin e dytë. Djemtë dhanë maksimumin, na dhuruan emocione”, ka thënë Batatina pas ndeshjes. Llapi e kishte humbur 2:0 ndeshjen e parë.

“Fati nuk ishte me ne në ndeshjen e parë. Sonte nuk kemi pasur çka të humbim, ndërsa jemi munduar të nxjerrim maksimumin. Djemtë i përgëzoj për angazhimin, për luftën. Kështu duhet të jemi të bashkuar çdo herë”, ka shtuar Batatina. “Faleminderit për gjithçka që kanë bërë për ne. Ne nuk avancuam, por kemi dhënë maksimumin”.