Fjalë Kyçe

Kryetarja e Themelores në Prishtinë kundër vettingut për gjyqtarët

Kryetarja e Themelores në Prishtinë kundër vettingut për gjyqtarët

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, deklaroi se vettingu i mundshëm për gjyqtarët do të dëmtonte dhe do të mbingarkonte institucionin që drejton. Ajo pajtohet që t’i nënshtrohet këtij procesi si kryetare e Gjykatës Themelore, por është kundër që në të njëjtin të kalojnë edhe gjyqtarët e Prishtinës.

Grumbullimi i lëndëve mbetet sfidë për Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe ajo druhet se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë nëse gjyqtarët i nënshtrohen vettingut.

“Nuk jam pro vettingut për shkak se konsideroj se do t’i bënte vetëm më shumë dëm. Flas për gjykatën time, sepse vettingu është një proces i cili merr kohë dhe konsideroj se do t’i bëhet vetëm dëm dhe do të shtojë më shumë grumbullim të lëndëve. Në anën tjetër, në gjykatën tonë mbi 90% janë gjyqtarë të rinj të cilët nuk kanë as 5 vjet përvojë pune, të gjithë kanë kaluar nëpër procese të verifikimit dhe procese të ndryshme. Nuk e konsideroj të nevojshme. Unë konsideroj që më e nevojshme është fakti që të ndihmohet gjykata, të ngrihen kapacitetet e kësaj gjykate dhe pastaj t’i shohim rezultatet. Sa i përket pjesës tjetër, për kryetar dhe anëtarë të Këshillit, për mua është në rregull, nuk kam ndonjë koment. Nëse ashtu e parasheh dhe e ka propozuar qeveria dhe ligjvënësi e voton, në rregull është, konsideroj se pjesa jonë nuk bënë shumë pengesë në gjykim, por për gjyqtarët është proces i rrezikshëm nëse i hyjmë asaj pjese sepse kemi për t’i bërë dëm më së shumti qytetarit”, ka thënë Shabani-Rama për KosovaPress.

Shabani-Rama shprehet se tashmë ka një tendencë të rritjes së lëndëve, kryesisht të natyrës civile. Vetëm në vitin e kaluar, ajo tha se i kanë pranuar mbi 11 mijë lëndë të reja, e trendi i rritjes thekson se po vazhdon edhe këtë vit. Sipas saj, zgjidhja më e mirë për zvogëlim të këtyre pritjeve është rritja e numrit të gjyqtarëve në këtë gjykatë.

Qeveria ka synuar vetting të plotë në vend, por Komisioni i Venecias rekomandoi që ndryshim kushtetues të konsiderohet vetëm për verifikim të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, që për procesin e vettingut kanë pasur përplasje me nivelin politik.

Ky Komision ka rekomanduar ndryshime legjislative që do të përmirësonin sistemin aktual të verifikimit të zyrtarëve në drejtësi, në veçanti për deklarimin e pasurisë dhe forcimin e njësive të vettingut brenda Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

Ndërsa, vetting, me ndryshime kushtetuese, ka thënë se mund të bëhet vetëm për krerët në sistemin të drejtësisë – kryeprokurorët dhe kryetarët e gjykatave.