“Toki jonë, zemra e Prishtinës…”! Është kjo thirrja e famshme dhe e kahershme e tifozëve të kryeqytetit përmes së cilës “Plisat” gjithnjë shprehnin admirimin e tyre për Afrim Tovërlanin, ish futbollistin e spikatur të Prishtinës, me të cilin, përpos si lojtar, ashtu edhe si trajner, klubi më i madh kosovar ka fituar shumë trofe.
Por, kjo thirrje, nga dje, ka mundësi të marrë jehonë më të gjerë – “Toki jonë, zemra e Kosovës…”, shkruan Gazeta Express. Kjo pasi trajneri më i suksesshëm në futbollin kosovar u emërua përzgjedhës i Kombëtares U-21 të Kosovës nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Toki” e ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me shtëpinë e futbollit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Vendimi i FFK-së për t’ia besuar ekipin e shpresave Tovërlanit është mirëpritur në opinionin futbolldashës. Por, më së miri është pritur te vet Tovërlani, të cilit duket se nuk po i pritet fillimi i punës në ekipin e shpresave të Kosovës.
Në një bisedë me Gazetën Express, Tovërlani teksa falënderon FFK-në për besimin e dhënë, tregon vendosmërinë e tij për të kërkuar sukses ndërkombëtar me skuadrën e re që e përfaqëson vendin tonë.
“Natyrisht që jam i lumtur. Nuk dua të flas shumë, por dua tha them një gjë: Jam zotuar që ta jap maksimumin dhe gjithçka tjetër të mirë nga vetja për Kosovën time të dashur, për Kosovën tonë të bukur”, ka deklaruar Tovërlani.
I pyetur nëse e njeh mirë skuadrën që deri më tani drejtohej nga gjermani Michael Nees, pas shkarkimit të të cilit përkohësisht u udhëhoq nga Albert Bunjaki, Tovërlani u shpreh se din gjithçka çka duhet të dijë një trajner kur e merr në dorën e vet një skuadër.
“E njohë shumë mirë skuadrën sepse e kam përcjell çdo ndeshje të saj. I njohë futbollistët, e di cilëve prej tyre do t’u skadojë mosha dhe që nuk do të kenë të drejt të luajnë më me U-21 dhe e di se cilët do të kenë të drejt ë luajnë ende. Besoj se gjithçka do të shkojë mirë”, tha ish trajneri i Prishtinës, Trepçës ’89, Feronikelit, Ferizajt.
Në opinionin kosovar “Toki” shihet si një legjendë e futbollit kosovar, ku kishte luajtur me shumë sukses në kohët më të vështira të izolimit nga UEFA e FIFA. Por, kjo nuk do të thotë që Tovërlani si trajner i Kosovës U-21 do t’u jep më shumë përparësi futbollistëve që luajnë në Superligën e Kosovës sesa atyre që luajnë dhe po zhvillohen në shtetet perëndimore.
Tovërlani zotohet se për të si trajner të gjithë futbollistët do të jenë të barabartë, pavarësisht se ku luajnë apo prej nga vijnë. Ndërsa, garanton se nuk do të mund të ndikohet nga faktorët të jashtëm prej profesionit në punën e tij si përzgjedhës.
“I kam duart e lira si trajner, për ta bërë punën dhe përzgjedhjen që un besoj se është më e mira. Nuk më intereson emri e mbiemri i askujt. Nuk më intereson a luan në kampionatin e Kosovës apo të Gjermanisë. Për mua të gjithë do të jenë njësoj, dyert e skuadrës do të jen të hapura për të gjithë, por vetëm mbi bazën e meritave. Vetëm brenda vijave të fushës së blertë do të përzgjidhen futbollistët, varësisht nga cilësitë që i posedojnë. Pra, veç mbi baza profesionale dhe korrektësisë do të funksionojmë”, deklaron për Gazetën Express Tovërlani.
Tovërlani është trajneri më i suksesshëm dhe ndër më të respektuarit në Kosovë. Ai i ka fituar si trajner katër tituj të kampionit – tre me Prishtinën dhe një me Feronikelin. Po ashtu, si trajneri i ka fituar edhe një Kupë të Kosovës dhe dy Superkupa. Njëherë ishte shpallur kampion edhe në kategorinë e dytë të futbollit kosovar, kur kishte arritur ta inkuadronte Trepçën ’89 në Superligë.
Është trajneri që mban edhe rekorde. Për shembull, në edicionin 2012-2013 e kishte bërë Prishtinën kampion me një diferencë prej 15 pikësh epërsi nga nënkampionia, Trepça ’89. Një rekord tjetër që Tovërlani e mban është ai i sezonit 2007-2008 kur i kishte regjistruar dhjetë fitore rresht me Prishtinën.
“Sa i përket karrierës sime si futbollist apo si trajner, ajo është karriera ime. Por, tash fillon diçka krejt e re, nga zero. Shpresoj që bashkërisht do të shënojmë suksese të reja”, thotë Tovërlani.
Afrim Tovërlani është 55-vjeç. Ka qenë pioner i klubit futbollistik Prishtina, ku kishte arritur të depërtonte në gjeneratën e artë të kësaj skuadre, që kapiten e kishte legjendën e ndjerë, Fadil Vokrri. Ndërsa, karrierën si trajner e kishte nisur po ashtu në Prishtinë në vitin 2007, edhe atë me sukses të jashtëzakonshëm.
Tovërlani ende nuk ka pasur rast të drejtojë skuadër në arenën ndërkombëtare. Sidoqoftë, kur futbolli kosovar ishte i izoluar në katër anët, FC Prishtina arrinte disi di organizonte disa ndeshje miqësore me klube gjermane e zvicerane dhe me Tovërlanin shënonte paraqitje solide.