Ballkani po e pret me optimizëm ndeshjen me Sivassporin, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Kontingjenti i ekipit kosovar është nisur sot drejt Turqisë, ku nesër mbrëma do të përballet me skuadrën nga Superliga e atjeshme, shkruan “Gazeta Express”.
“Sivasspor, ne po vijmë. FC Ballkani, krenaria e Kosovës”, ka shkruar klubi “Portokalli” në rrjetet sociale, duke ia përcjellë këtij shkrimi edhe disa foto nga nisja e ekipit për në tokën turke.
Kampioni kosovar është pjesë e Grupit G në Ligën e Konferencës, ku gjendet në vendin e tretë me një pikë nga dy ndeshje.
Therandasit synojnë të dalin sa më mirë nga dueli i nesërm, i cili do të fillojë në orën 18:45.
Kjo është hera e parë që Ballkani merr pjesë në garat evropiane dhe menjëherë e shkroi historinë duke shkuar në fazën e grupeve të një gare evropiane.