Biljana Stojkoviq, profesoreshë e biologjisë në Universitetin e Beogradit dhe njëherit kandidate nga koalicioni “Ne duhet” në zgjedhjet presidenciale të sivjetme në Serbi, ka deklaruar se kur analizohet marrëveshja e nënshkruar nga presidentja serbe Ana Brnabiq së fundmi në Berlin, kur analizohen të gjitha situatat kur presidenti i Serbisë ia dorëzoi të gjitha Kosovës, atëherë sipas saj si është e mundur që targat të jenë problem i madh.
“Për dikë mbijetesa e popullit tonë në Kosovë është gjë e vogël, për mua nuk është! E po të isha pajtuar për targat, do të thoshin, mirë, na poshtëroi me targat”, tha mbrëmë Vuçiq në një televizion serb, transmeton Telegrafi.
Megjithatë kur Stojkoviq u pyet nëse e ka parë intervistën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ajo është përgjigjur fillimisht shumë shkurt: “natyrisht se jo”.
“Natyrisht se nuk e kam shikuar, por mund ta paramendojë interpretimin e tij plotë gënjeshtra. Nuk mendoj që këto janë gjëra të vogla për serbët e Kosovës, por jam e bindur që targat do të duhej të ishin problem i vogël krahasuar me ato që i përmenda më herët”, shtoi ajo.
Sipas saj, spinimi mediatik, frikësimi dhe çmendja e mëtejshme e njerëzve, është mënyra se si punon Vuçiq.
“Për të vonuar nënshkrimin e marrëveshjes në Berlin, për të mbytur pyetjet për gjithçka që ka bërë, ai e trilloi historinë e targave në nivel të konfliktit të armatosur dhe disa dronë sikur të ishin kërcënimi më i madh për shtetin serb. Një retorikë e tillë ka për qëllim audiencën e tij dhe të rrit urrejtjen ndaj opozitës. Ai shkatërroi normalitetin në Serbi dhe ngurtësoi qëndrimin ndaj çdo analize, për të cilën të gjithë kemi të drejtë. Mënyra e qeverisjes së Vuçiqit është manipulimi propagandistik – i rrezikshëm për të gjithë në opozitë dhe për këdo që mendon në mënyrë kritike – por i madh për të dhe klikën e tij”, tha për fund profesoresha e biologjisë.