Lionel Messi ka qenë objektiv i Interit që në fëmijërinë e tij, më saktësisht në epokën e Massimo Morattit.
Megjithatë, ylli argjentinas i kishte qëndruar besnik Barcelonës deri në vitin 2021, kur vendosi të largohej përfundimisht si lojtar i lirë.
E Javier Zanetti, zëvendës-president i “Nerazzurri”, e kujton atë kohë kur ishte munduar ta sillte shtatë herë fituesin e Topit të Artë në Itali, shkruan “Gazeta Express”.
“Kur u largua nga Barcelona ishte mundësia dhe bisedova me Messin, kam mbetur i befasuar me largimin e tij. Por, të bëhemi realë, Interi nuk mund të garojë me një realitet si ai i PSG-së apo i klubeve të Premierligës. Ekonomikisht nuk jemi në gjendje”, deklaroi legjenda argjentinase, i cili u mundua ta bënte realitet ëndrrën për ta sjellë kampionin e freskët botëror në “Giuseppe Meazza”.
Messi përfundoi në “Parkun e Princave” si lojtar i lirë, por me një rrogë stratosferike, ndërsa kontrata do t’i skadojë në verën që vjen dhe nuk ka vendosur ende nëse do të vazhdojë të luajë në Paris apo do të transferohet në një ekip tjetër.
Natyrisht, favoritit për ta fituar Topin e Artë numër 8 në karrierë, nuk i mungojnë ofertat asnjëherë, qoftë nga Arabia Saudite, nga kampionati amerikan – MLS, apo për një rikthim eventual në Barcelonë.