Drita e ka prezantuar sot trajnerin e ri, Akis Vavalis.
Gjilanasit njoftuan mbrëmë për arritjen e marrëveshjes me trajnerin e ri grek, i cili sot i shpalosi idetë dhe qëllimet që i ka me skuadrën kosovare, shkruan “Gazeta Express”
“Përshëndetje të gjithëve. Jam i lumtur që jam në klubin e Dritës. Objektivi është i ditur te Drita. Shpresojmë të gjithë të arrijmë suksesin, ta fitojmë titullin e kampionit”, deklaroi trajneri i ri i “Intelektualëve”.
E paraprakisht, pasuesin e trajnerit Arsim Thaçi e prezantoi drejtori sportiv i Bardhekaltërve, Valon Zymberi, i cili i shprehu atij mirëseardhje në klub.
“Sot jemi mbledhur për ta prezantuar trajnerin tonë të ri i cili do të na prijë në vazhdim dhe edicionin e ardhshëm. Marrëveshja është zyrtarizuar mbrëmë. Mendojmë që është profili që ne e kemi kërkuar si klub, një trajner që i përshtatet politikës dhe ambicieve tona. E kemi bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Ky trajner është ambicioz. Karriera e tij na premton se e ardhmja e jonë të jetë e sigurt”, u shpreh Zymberi.
Aktualisht, Drita është e dyta në tabelë me 60 pikë pas 30 ndeshjesh të zhvilluara, një më pak se lideri, Ballkani.