Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me ndeshjet e xhiros së pestë të Grupeve A, B, C e D.
Pa dyshim, na presin përballje interesante, por edhe përcaktuese se cilat skuadra do të shkojnë në të tetën e finales së kësaj gare.
E fillojmë me radhë.
Në Grupin A, Bayern Munichu tashmë e ka siguruar kualifikimin, por edhe vendin e parë.
Por, “luftë” e madhe në këtë grup po zhvillohet për pozitën e dytë, e cila po ashtu çon në fazën eliminuese.
Tri skuadra i ndan vetëm një pikë, shkruan “Gazeta Express”.
Loja Galatasaray – Manchester United do të një përballje direkte për kualifikim dhe skuadrat s’kanë çka të humbin duke i kërkuar vetëm tri pikët.
Ndërkohë, Copenhagen do ta vizitojë gjigantin bavarez me shpresën që të fitojë dhe të shkojë tutje si e dyta.
Danezët do të shpresojnë që Bayerni t’i ruajë lojtarët kryesorë dhe ta “pushtojnë” stadiumin “Allianz Arena”.
Në Grupin B, Arsenali e sheh veten me një këmbë në të tetën e finales.
“Gunners” do t’ju mjaftonte edhe një barazim me Lensin sonte për të ecur tutje.
Nga ana tjetër, francezët po ashtu kanë nevojë për pikë, pasi po e ndjekin pozitën e dytë.
Në ndeshjen tjetër, Sevilla do ta kërkojë fitoren me PSV Eindhovenin për ta “kapur” pozitën e tretë, e cila çon në Ligën e Evropës.
E përballja më e madhe e natës së sontme do të jetë ajo e Grupit C mes Real Madridit dhe Napolit.
“Los Blancos” kanë ecur tutue dhe do të luajnë për prestigj.
Kurse, Amir Rrahmani me shokë janë afër kualifikimit dhe për ta siguruar atë sonte, iu duhet një rezultat i favorshëm në “Santiago Bernabeu”.
Ndërkohë Braga do të mundohet ta mposht Union Berlinin dhe të shpresojë në një gabim të napolitanëve në Spanjë.
Grupi D do të jetë më së paku i rëndësishëm sonte, shkruan “Gazeta Express”.
Real Sociedadi dh Interi tashmë e kanë siguruar kualifikimin.
Nënkampioni evropian do ta vizitojë Benfican, e cila i ka katër humbje nga po aq ndeshje.
Kurse, spanjollët do t’i bëjnë konak Salzburgut.
Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sontme do të nisin në orën 21:00.