Kryeministri Albin Kurti ka bërë një propozim se kur mund të nënshkruhet Marrëveshja Bazike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka thënë se kjo mund të bëhet në Samitin e Këshillit Evropian, që mbahet më 21 e 22 mars të vitit 2024.
“Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Në këtë postim, Kurti i është kundërpërgjigjur edhe Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili dje tha se draft-statuti i propozuar nga ndërkombëtarët nuk ka nevojë të nënshkruhet, meqë “është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës”.
Kurti ka thënë mund mund ta shkruajë një draft modern evropian në konsultim me ministrat e tij, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi, “meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës”.
“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti.
Gjatë ditës së djeshme, edhe ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se fundi i janarit 2024 është afati për formalizimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e Marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë.
Më lejoni të shtoj edhe një pikë në lidhje me kërkesën e Kosovës që Serbia ta nënshkruajë Statutin. Sipas pikëpamjes sonë, kjo nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është.
Jemi duke diskutuar çështjen e formalizimit shtesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj me Qeverinë e Kosovës. Paralelisht, ishim nikoqirë të ekspertëve ligjorë serbë në Bruksel për të diskutuar aspekte të ndryshme të dokumentit. Kjo është legjitime pasi që ky draft është i detajuar dhe i gjerë. Por të mos harrojmë se pranimi i tekstit të Statutit është vetëm një element i procesit dhe nevojiten hapa shtesë nga pala kosovare për themelimin e Asociacionit”, tha Lajçak gjatë ditës së djeshme.