Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, teksa ka përmendur disa nga të arriturat e Qeverisë brenda vitit 2023, ka treguar edhe pritjet për vitin e ardhshëm.
Bislimi ka thënë se gjatë vitit 2024 presin që bashkësia ndërkombëtare të reagojë lidhur me agresionin në Banjskë më 24 shtator, si dhe qasjen destruktive të këtij vendi në tërësi.
“Në 2024, duhet reagim më vendimtar edhe nga ana e BE-së në dënimin e agresionit në Banjskë, qasjes shkallë-shkallë gjithnjë më eskaluese të Serbisë dhe mungesën e konstruktivitetit nga ana e tyre në dialog”, ka shkruar ai në Facebook.
Bislimi më tej ka thënë se një nga të arriturat e Qeverisë është edhe zhbllokimi i procesit të liberalizimit të vizave, e hapat e parë drejt anëtarësimit në BE.
“Arritëm të zhbllokojmë procesin e liberalizimit të vizave e tashmë pak orë na ndajnë nga fundi i regjimit të vizave. Zhvilluam edhe fushatën informuese, për të pajisur të gjithë qytetarët me informatat e nevojshme për udhëtime pa viza. E kemi bërë hapin e parë drejt anëtarësimit në BE në 2022 përmes dorëzimit të aplikimit në Pragë, e ku këtë vit punuam me Presidencën suedeze të Këshillit të BE-së, për trajtimin e kërkesës e për të cilët jemi falënderues për bashkëpunimin. Kërkojmë edhe më shumë këtë vit, nga presidencat e ardhshme belge e hungareze, sepse Kosova meriton të shkojë tutje drejt integrimit në familjen evropiane”, ka theksuar Bislimi.
Ai më tej ka përmendur edhe raportin për vendin nga Komisioni Evropian, ku sipas tij u theksua ulja e ndjeshme e nivelit të papunësisë nga 19% në 11.8%.
“E rritja ekonomike, vazhdoi me ritme pozitive në rreth 3.8%, më e larta në Ballkanin Perëndimor, konstatuar dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore. Me Bashkimin Evropian, nënshkruam marrëveshje financiare nga programet IPA, e ku me IPA 2023, u mundësua ndihma financiare për vendin në shumën mbi 75 milionë euro, për përballjen me krizën energjetike”, ka shkruar më tej ai.
Derisa ka folur për qasjen e fqinjit verior, Bislimi ka thënë se janë zhvilluar fushata të frikësimit ndaj qytetarëve, janë sulmuar institucionet, KFOR-i e gazetarët.
“Qasja e fqinjit tonë verior, u bë dhe më agresive këtë vit, kur zhvilluan fushata të frikësimit ndaj qytetarëve për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit, sulmuan institucionet tona në veri, KFOR-in dhe gazetarët përmes grupimeve kriminale, rrëmbyen tre zyrtarë tanë policor brenda territorit të Republikës sonë dhe organizuan një akt agresioni e ushtarak, me qëllim aneksimin e veriut e destabilizimin e rajonit ku vranë dhe rreshterin e heroin Afrim Bunjaku”, ka thënë ai.
Bislimi ka thënë se edhe targat dhe energjia ishin dy nga çështjet që sipas tij u adresuan dhe ecën drejt epilogut.
“Pas këmbënguljes në qëndrimet tona parimore e të drejta. Pas më shumë se 20 vitesh rryma do të paguhet në veri, e pas më shumë se 10 vitesh Serbia njoftoi se do t’i njohë targat RKS. Kemi Marrëveshjen Bazike të Brukselit e Aneksin e Zbatimit të Ohrit, të cilën Serbia refuzon në vazhdimësi ta nënshkruajë. E përveçse verbalisht, tashmë refuzimin e kemi edhe në të shkruar e si qëndrim zyrtar, përmes letrës së kryeministres Bërnabiq gjatë këtij muaji”, është shprehur ai.