Prokuroria në Split njoftoi dje se ngriti akuza kundër një ish-pjesëtari 63-vjeçar të njësive paraushtarake serbe për vrasjen e disa civilëve në qytetin Zaton Obrovaçki në dhjetor të vitit 1991, ndërsa mediat raportojnë se gjyshi i futbollistit Luka Modriq ishte në mesin e të vrarëve.
Në deklaratën e prokurorit nuk bëhet me dije emri i të akuzuarit, por mediat kroate raportojnë se bëhet fjalë për Zheljko Bazha, i cili prej dhjetë vitesh jeton në Australi.
Prokuroria njoftoi se i akuzuari, nacionaliteti i të cilit nuk dihet, akuzohet se si komandant i togës speciale të Stacionit të Sigurisë Publike në Obrovac dhe pjesëtar i njësive paraushtarake serbe, ka aprovuar dhe së bashku me pjesëtarët e asaj toge, ka marrë pjesë personalisht në vrasjet në Zaton Obrovaçki të atëhershëm të pushtuar, pranë rrugës së vjetër që të çon në fshatin Meki Doci.