Fjalë Kyçe

BE-ja del me deklaratë për rregulloren e BQK-së që pritet të hyjë sot në fuqi, i kërkon Kosovës dialog për çështjen e dinarit

BE-ja del me deklaratë për rregulloren e BQK-së që pritet të hyjë sot në fuqi, i kërkon Kosovës dialog për çështjen e dinarit

Banka Qendrore e Kosovës e nxori një rregullore të re javë më parë, e cila kërkon që të gjitha pagesat me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen vetëm me euro duke nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.

Kjo rregullore pritet të hyjë sot në fuqi.

Vendimi nxiti shumë reagime, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Drogë në objektin e komunës, zëvendësministri i MAPL: Ka pasur indikacione për devijime të tilla
Mbi 20 mijë familje me asistencë sociale, cila komunë ka numër më të madh të rasteve
Në një deklaratë zyrtare të lëshuar sot BE-ja, ku thuhet se ata janë të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.

BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet në deklaratën e BE.

Bashkimi Evropian tutje në këtë deklaratë ka insistuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të gjendet një zgjidhje.

“Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre. BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian.

Qeveria Kosovës ka argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, edhe gjatë kësaj jave ka përsëritur thirrjen që të shtyhet vendimi për zbatimin e rregullores të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.

Kjo pas një takimi që Hovenier kishte me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili.

Në anën tjetër, se euro do të jetë e vetmja valutë zyrtare në Kosovë e thanë dje edhe kryeministri Kurti, edhe zëvendësi i tij Besnik Bilsimi.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk negociohet për çështjen e shtrirjes së euros si valutë e vetme në Kosovë.

Kurti thotë se euroja si valutë e vetme në Kosovës është e panegociueshme. Ai ka thënë se vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), janë vendime të pavarura, dhe si të tilla duhet të respektohen.

“Vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës janë vendime të pavarura se BQK është institucion i pavarur, rregullat që ata i sjellin, rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin dhe unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin Ahmet Ismailin që ta bëjë punën e tij ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës sonë. Ai po bën punë shumë të mirë dhe e ka shpjeguar gjerë e gjatë dhe qartë e saktë se kë do të kemi probleme që mund të ketë me një valutë të huaj, mirëpo në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit e shitblerjes është euroja. Ne nuk dëshirojmë të ndëshkojmë askënd por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe rregullsi edhe në veriun e Kosovës e gjithandej ku ka serbë në Kosovë që janë një komunitet i cili po ashtu mua më ka kryeministër e Ahmet Ismailin e ka guvernator. Jemi dëshmitarë që masat që i kemi ndërmarrë si qeveri, shumica dërmuese e tyre për të mos thënë të gjithë kanë xhirollogari bankare në bankat e Kosovës dhe nëse nuk e kanë edhe hapjen e një xhirollogarie e mirëmbajtjen e saj e kanë falas. Pra, në katër komunat në veri të Kosovës janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe do të mund të merren në euro. Euroja është valutë e cila na vjen nga Bashkimi Evropian ne nuk jemi duke i thënë askujt merr valutën lekë të Shqipërisë as ndonjë valutë të re dardanë të Kosovës por, euron. Euro si mjeti i vetëm i pagesës dhe shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS nuk është një çështje e negociueshme”, tha Kurti gjatë ditës së djeshme.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi në një konferencë për media i është përgjigjur kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e vendimit të BQK-së, duke thënë se “asnjë nga këto kërkesa nuk e vënë në dyshim ligjshmërinë e rregullores së miratuar.

Bislimi tha se BQK është institucioni i vetëm që dizajnon dhe zbaton politikën monetare në vend.

Tutje ai euro ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e vetmja valutë zyrtare në përdorim në Republikën e Kosovës.

“Asnjë nga kërkesat e palëve të involvuara, sidomos kjo vlen për miqtë tanë ndërkombëtarë, nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores të miratuar nga BQK. Nuk e vë në dyshim që as fakti që BQK është institucioni i vetëm që dizajnon dhe zbaton politikën monetare në vend. Nuk e vë në dyshim që BQK është e pavarur dhe me këtë dizanjnim i nënshtrohet vetëm Kushtetutës sonë dhe standardeve më të avancuara ndërkombëtare që rregullojnë sistemin e pagesave. Nuk e kontestojmë që euro ka qenë dhe vazhdon të jetë e vetmja valutë zyrtare në përdorim”, shtoi Bislimi.

Në anën tjetër, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha se vendimi i BQK-së e cila e përjashton dinarin si valutë për kryerje të transaksioneve në Kosovë, nuk mund të shtyhet dhe si i tillë vendime të tilla duhet zbatuar.

Ai ka deklaruar se pozicioni i institucionit që ai e udhëheq nuk është politike dhe se rregullat që vendosen duhen zbatuar.

E presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se po diskutohen një “sërë opsionesh” rreth rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas të cilës të gjitha pagesat në Kosovë nga 1 shkurti do të bëhen me vetëm me euro, vendim ky që përjashton dinarin nga qarkullimi.

Osmani tha dje se në dy ditët e ardhshme pritet të ketë një dakordim, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Presidentja shtoi se beson që në koordinim me aleatët do të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

“Neni 11 i Kushtetutës përcakton qartë që Kosova duhet ta ketë në qarkullim vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri më tani ashtu siç e kërkon Kushtetua. BQK ka kryer punën e vet, kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtij parimi janë duke u diskutuar një sërë opsione, të cilat në një anë do të respektonin nenin 11 të Kush, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre të themi në llogari të reja në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahje të plotë të shteteve aleate. Do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike. Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë dhe jo vetëm në letër. Dhe të gjithë e dimë që për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë në mënyrë që të kemi zbatim të qëndrueshëm.

Nuk po aludoj që vendimi të shtyhet.

Unë po aludoj në një diskutim që ende është duke vazhduar dhe jam e bindur se i cili të gjejë një zgjidhje praktike në mënyrë që kushtetuta jon të zbatohet në çdo cep të caktuar edhe në praktikë, e jo vetëm të kemi dokumente, zbatimi i të cilave pastaj sfidohet”, tu shpreh Osmani pra mediave.