Vazhdimi i ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe paralajmërime për rrezik në Ballkanin Perëndimor nga Rusia, ishin mesazhet kyçe që u përcollën pas Samitit “Ukrainë – Evropa juglindore”, që u mbajt më 28 shkurt në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Në samit, që u mbajt me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, së bashku me disa liderë të tjerë të Evropës juglindore.
Pas samitit, Zelensky paralajmëroi shtetet e Ballkanit Perëndimor se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën.
“Samiti i sotëm është bashkim dhe mendoj se shtetet e Ballkanit sot duhet të bëhen bashkë. Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën”, tha Zelenksy gjatë një konference të përbashkët për media me Ramën.
“Rusia nuk do të ndalet. Rusia nxjerr përfundime nga gabimet që i ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do të destabilizojë edhe më tej, do të përdorë taktika tjera”, shtoi ai.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pranoi se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus.
“Ajo çfarë po ndodh atje [Ukrainë] mund të përsëritet në mënyra të ndryshme”, tha Rama.
Sipas Ramës, lufta mund të ndodhë, pavarësisht sa e pamundshme mund të duhet dhe që “nuk duhet luajtur me zjarrin”.
“Nëse e humbasim këtë qartësi, rrezikojmë të hyjmë në fazë të errët”.
Gjatë konferencës për media, Rama bëri thirrje që shtetet të vazhdojnë ndihmën për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022. Ai tha se ndihma për Ukrainën nuk duhet të përdoret për politika të brendshme nga shtete të ndryshme.
Rama tha se është e vetëdijshëm që shtetet sikurse Shqipëria, nuk mund të plotësojnë nevojat e mbrojtjes që ka Ukraina, andaj ai u bëri thirrje shteteve të mëdha dhe të pasura që të ndihmojnë Kievin.
Sipas tij, pretendimet se ndalimi i dhënies së armëve për Ukrainën do të sjellë paqen “nuk është vetëm cinike, por edhe absurde sepse ju nuk ndalin luftën duke çarmatosur viktimën. E ndalni luftën duke ndalur keqbërësin”.
“Ukraina meriton të mbështetet dhe ndihmohen me të gjitha mjetet e nevojshme për të rezistuar dhe të sigurohet që çdo paqe që do të dalë nga kjo luftë do jetë paqe e drejtë, e mbështetur para së gjithash në planin 10 pikësh të Zelenskyt, të cilin e mbështesim dhe duam të diskutohet nga të gjitha shtetet”, tha Rama gjatë konferencës për media me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Zelensky po ashtu kërkoi që të bëhet gjithçka në mënyrë që të mos ketë vonesa në dërgimin e armëve, teksa shteti i tij varet shumë nga ndihma që i ofrojnë aleatët perëndimorë për t’u përballur me forcat ruse.
“Sa më shumë që [presidenti rus, Vladimir] Putini sheh mungesat tona, aq më shumë mund të mendojë që mund të sfidojë Evropën dhe Perëndimin. Ne na duhet që të ketë më shumë besim në botën demokratike, më shumë besim në përpjekjet tona”, tha ai.
Kryeministri shqiptar tha se të gjitha institucionet dhe popullata e Shqipërisë e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën “pa asnjë lëkundje”.
Ndërkaq, në deklaratën përfundimtare të Samitit për Ukrainën që ende nuk është bërë publike, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është rëndë darkod që të mos përmenden sanksionet kundër Rusisë e as ndikimin keqdashës rus.
“Pjesëmarrësit ranë dakord që ta heqin pjesën për sanksionet dhe ndikimin keqdashës të Rusisë… Jemi informuar se kjo është pranuar. Nuk ka sanksione, nuk flitet për sanksione, nuk përmendet ndikimi keqdashës rus”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për gazetarë.
Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, por ka përkrahur rezoluta në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar pushtimin rus.
Çfarë u tha gjatë samitit?
Liderët nga Ballkani Perëndimor dhe disa shtete të Evropës juglindore diskutuan në samit për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Ukrainës kundër pushtimit rus.
Samiti u mbajt prapa dyerve të mbyllura dhe vetëm pjesa e fjalimeve fillestare ishte e hapur për publikun.
Në samit është diskutuar për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Zelenksy tha se Putin po përdor diktate të shkuarës për të bërë që shtetet të veprojnë siç do ai.
Sipas udhëheqësit ukrainas, Evropa duhet të jetë hapësira ku çdo shtet përcakton fatin e vet.
“Ne kemi parë në të kaluarën që ka pasur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, Evropën lindore dhe pjesë të tjera të Evropës. Tani Putini dëshiron ta bëjë këtë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën, është për të detyruar kombet e tjera të bëjnë siç do ai. Prandaj është e rëndësishme për të gjitha shtetet tona që Putini, regjimi i tij, të humbasë, sepse dështimet e tij janë siguria jonë e përbashkët”, tha ai.
Udhëheqësi ukrainas falënderoi shtetet e Evropës juglindore për ndihmën e ofruar për shtetin e tij në luftë, por edhe në integrimin evropian. Ai tha se të gjitha shtetet në rajon, që ndajnë vlera evropiane, duhet të integrohen.
Ai tha po ashtu se të gjitha shtetet në rajon, që kultivojnë vlerat evropiane, duhet të integrohen në
“BE-ja dhe NATO-ja i kanë ofruar Evropës epokën më të gjatë dhe më të fortë të sigurisë paqes dhe zhvillimit ekonomik dhe ne meritojmë që në fund të jemi pjesë e komunitetit evropian dhe euroatlantik”, tha ai.
Duke folur për mbrojtjen, Zelensky tha se është i interesuar të rrisë bashkëpunimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçmas në fushën e bashkëprodhimit të municioneve.
“Ne shohim se problemet me municion po ndikojnë në situatën në fushëbetejë [në Ukrainë]. Ne jemi të interesuar për bashkëprodhim ne ju dhe me të gjithë parnerët e tjerë. Ekipi ynë qeveritar do të prezantojë detajet për mbajtjen e një forum të industrisë së mbrojtjes së Ukrainës dhe Ballkanit në Kiev, apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja”, tha ai.
Në fjalën hyrëse, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Putin nisin luftën e paprovokuar ndaj Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, sepse ai ishte “i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake”.
“Prania juaj këtu është përkujtues se ai ka dështuar, pavarësisht fuqisë ushtarake dhe propagandës toksike, Rusia neoimperialiste ka dështuar të shtypë Qeverinë ukrainase të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ka dështuar të shtypë vullnetin e ukrainasve që të jetojnë në një shtet të lirë, pavarur dhe demokratik. Ka dështuar që të heshtë të vërtetën”, tha Rama.
Rama dhe Zelensky duke pritur liderët që po marrin pjesë në samitin në Tiranë.
Rama dhe Zelensky duke pritur liderët që po marrin pjesë në samitin në Tiranë.
Osmani e bindur në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina
Në samit morën edhe udhëheqës të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para nisjes së samitit, tha se në të do të flasë për hapat konkretë që po ndërmerrë shteti për të mbështetur Ukrainën.
Ajo u pyet se nëse do të kërkojë nga presidenti Zelensky që të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për liri”, tha Osmani.
“Jam e bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, shtoi ajo.
Po ashtu, delegacionet e të dyja shteteve zhvilluan një takim në ambientet e Krymeministrisë shqiptare.
Takimet para samitit u përmbyllën me nënshkrimin nga Rama dhe Zelensky të Traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy shteteve.
“Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë”, u tha në një njoftim nga Qeveria shqiptare.
Kjo është vizita e parë e Zelenskyt në Tiranë, e cila vjen pak ditë pasi u bënë dy vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Në delegacionin e Ukrainës ishte edhe ministri i Jashtëm i vendit, Dmytro Kuleba.
Kuleba: Samiti dërgon mesazhin se mbetemi të bashkuar
Mëngjesin e 28 shkurtit ai u takua me homologun e tij shqiptar, Igli Hasani.
Kuleba tha se është mirënjohës ndaj Shqipërisë për organizimin e samitit, i cili tha se “dërgon një mesazh të qartë se mbetemi të bashkuar”.
Ai falënderoi Shqipërinë për ndihmën e dhënë gjatë kohës që shteti i tij po përballet me pushtimin rus.
“Është shumë e rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimin e agresionit dhe krimet e luftës të kryera në rrjedhën e luftës”, tha Kuleba.
Kryediplomati ukrainas foli edhe për samitin e NATO-s, që do të mbahet në Uashington, dhe përsëriti synimin e shtetit të tij që të bëhet pjesë e aleancës ushtarake perëndimore.
“Pritjet tona janë që mes të tjerash një prej rezultateve të samitit të Uashingtonit do të jetë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës që në fund të bëjë këtë pjesë të Evropës më të sigurt”, tha ai.
Ndërkaq, kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, njoftoi se autoritetet janë në fazën e përgatitjeve për hapjen e Ambasadës shqiptar në Kiev, duke theksuar se shpreson që inaugurimi të ndodhë “në muajt e ardhshëm”.
“Shqipëria mbështet lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës. Shqipëria dënon me forcë agresionin rus kundër Ukrainës”, tha Hasani, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Kievin gjatë luftës, por edhe në fazën e pasluftës, në rindërtimin e shtetit.
Qëllimi i Samitit për Ukrainën
Këtë samit, Rama e kishte paralajmëruar qysh më 22 janar, gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që ishte mbajtur në Shkup të Maqedonisë Veriut.
Atëkohë, ai kishte thënë se në të do të flitej për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Përveç Ramës e Zelenskyt, pjesëmarrës ishin edhe disa liderë të shteteve të Evropës juglindore dhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhleyi.
Kosovën në këtë samit e përfaqësoi presidentja Vjosa Osmani.
Pjesëmarrës ishin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.
Liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi – pritet të qëndrojnë në Tiranë edhe të enjten.
Më 29 shkurt, në kryeqytetin shqiptar do të zhvillohet samiti rajonal për planin e rritjes dhe integrimin më të shpejtë në BE.
Edhe në këtë samit do të marrë pjesë komisionari i BE-së, Varhelyi.
Tash për tash, nuk është e qartë nëse dikush nga Kosova do të marrë pjesë. Kryeministri Albin Kurti, i cili në të kaluarën ka qenë pjesëmarrës në samite lidhur me planin e rritjes së BE-së, këtë javë gjendet në Britani të Madhe.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit të Shqipërisë, Rebani Jakupi, lajmëroi në një konferencë për media më 27 shkurt se, për shkaqe sigurie dhe për ta lehtësuar lëvizjen e delegacioneve, disa rrugë në Tiranë do të jenë të mbyllura.
“Në këtë kuadër, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve”, tha ai.
Edhe një ditë para fillimit të Samitit për Ukrainën, ekipi i Radios Evropa e Lirë vërejti njësi të shumta policore pranë lokacioneve ku do të zhvilloheshin aktivitete.
Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare.
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për vitin 2022, nga 32 mijë ukrainas që hynë në Shqipëri pas nisjes së luftës, rreth 2.500 qëndruan edhe përtej 2022-tës në këtë vend.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha në janar të vitit të kaluar se Shqipëria do të hapë një ambasadë në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Megjithatë, një gjë e tillë nuk u realizua ende.
Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar, 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020.
Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë.
Në rajonin e Odesës në Ukrainë jetojnë rreth 3.500 shqiptarë.
Ukraina kërkon mbështetje nga Perëndimi
Ukraina mbështetet shumë në furnizimet me armatim dhe municione nga aleatët e saj perëndimorë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’iu rezistuar sulmeve gjithnjë e më intensive nga forcat ruse.
Së voni, zyrtarët ukrainas kërkuan mbështetje të mëtejme nga Perëndimi, teksa Zelensky tha se fitorja e Ukrainës në luftën kundër Rusisë varet nga kjo mbështetje.
Ai gjithashtu tha se shpreson se pakoja prej 60 miliardë dollarësh nga SHBA-ja – që ka hasur në rezistencë në miratim nga ana e përfaqësuesve të Partisë Republikane – do të miratohet.
Ndërkohë, gjatë një samiti të udhëheqësve të Evropës në Paris, më 26 shkurt, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ka një “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe më shpejt” për Ukrainën, e cila, tash e dy vjet, është duke luftuar pushtimin rus.
Pjesëmarrësit ranë dakord që të krijojnë një koalicion për ta furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë, si dhe me bomba.
Macron tha se “nuk ekziston ndonjë konsensus” për dërgimin e trupave tokësore evropiane në Ukrainë, për të luftuar në anën e saj, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë”.
Kremlini i paralajmëroi aleatët evropianë të Kievit se dërgimi i trupave në Ukrainë, do të çonte “pashmangshëm” në luftë midis Rusisë dhe NATO-s./REL