Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll është kualifikuar në Kampionatin Botëror që në gusht mbahet në Kinë.
Në ndeshjen vendimtare për kualifikim, Kosova e mposhti Nigerinë me rezultat 22:16. Hendbollistet e Kosovës dhe të Nigerisë janë përballur të dielën paradite në Tashkent të Uzbekistanit, në finale të IHF Trophy Intercontinental. Ndeshja ishte betejë e vërtetë.
Kishte shumë duele të forta fizike, por hendbollistet kosovare shfaqën më shumë në momente vendimtare dhe siguruan kualifikimin në Botëror. Sipas FHK-së bëhet fjalë për sukses historik.