Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, pasi është pritur të ketë reflektim në komentet që pala kosovare i ka bërë te ndërmjetësi për dialog, Miroslav Lajçak.
Kusari-Lila, ka thënë se është skeptike se do të ketë progres në dialog para zgjedhjeve në Bashkim Evropian.
Sipas saj, dërgimi ose jo i draftstatutit të Asociacionit në Kushtetuese nuk do të ndryshonte situatën aktuale në terren në katër komunat veriore.
“Kërkesë e përhershme ka mbetur gjatë gjithë kohës ose në baza periodike është përmendur domosdoshmëria e dërgimit të statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, gjë e cila nuk është bërë pasi është pritur të ketë reflektimi në komentet që pala kosovare i ka dorëzuar te ndërmjetësi për draftstatutin e Asociacionit. Nuk është se në terren do të ndryshohej shumë situata sikur draft-statuti të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Në terren ndryshohet situata kur të ketë normalitet në funksionimin e jetës siç shihet dhe është çdo vend në Kosovë. Kur qytetarët kanë siguri, evidencat e fundit tregojnë se është rritur siguria në katër komunat në veri të vendit. Po ashtu, të fillohet të kryhen obligimet ndaj kompanive që ofrojnë shërbime publike. Të fillojë dhe të vazhdojë funksionimi i mirëfilltë i qeverisjes lokale, jo në shërbim të grupeve të caktuara të interesit, por të gjithë qytetarëve pa dallim, siç po ndodh tani. Natyrisht, pas procesit zgjedhor pastaj të shikohen hapat të tjerë”, thotë Kusari-Lila.
Shefja e deputetëve të LVV-së ka akuzuar Serbinë për qasje dekonstruktive në dialog. Ajo ka theksuar se përderisa nuk ka masa ndëshkuese ndaj Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë dhe derisa vendi fqinj mbron personat që kanë qenë të përfshirë në agresionin ndaj Kosovës, është e vështirë të thuhet se mund të ketë lëvizje përpara në dialog.
“Zgjedhjet tashmë janë afruar, kanë mbetur pak më shumë se dy muaj, por nënkuptohet se para zgjedhjeve do të ketë angazhim të të gjithë akterëve në fushatë elektorale në vendet e BE-së. Për ne mbetet shumë sfiduese fakti që Serbia ende mban dhe aktivisht mbron të gjithë ata persona që kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë. Gjithashtu, nuk ka pasur asnjë lëvizje nga bashkësia ndërkombëtare në raport me masat që do të duheshin t’i vendoseshin Serbisë për involvimin në këtë sulm të rëndë që iu bë Kosovës. Prandaj të themi që do të ndryshojnë gjërat në këtë periudhë kaq të shkurtër kohore, para zgjedhjeve në Bashkimin Evropian është e vështirë”, ka shtuar ajo.
Duke folur për rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë dhe mundësitë që e njëjta të diskutohet në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel, Kusari-Lila, ka thënë se e vetmja çështje që mund të bisedohet në raport me këtë temë është gjetja e mekanizmave lehtësues për konvertimin e dinarit në euro.
“Niveli politik për këtë çështje është kryer, pasi ne kemi të paraparë që kemi një valutë në Kosovë që përdoret për pagesat e brendshme. Edhe një herë po e ritheksoj se transferet mund të bëhen, por ato duhet të konvertohen për pagesa brenda Kosovës. E vetmja çështje që mund të diskutohet në raport me këtë temë është mekanizmi lehtësues për procedurën e ndërmjetme dhe jo ndryshimi apo reflektimi ndryshe për përdorimin e valutës tjetër në Kosovë”, ka theksuar ajo.
Krahas këtyre, Kusari-Lila ka folur edhe për zgjedhjet në katër komunat veriore dhe mundësitë e heqjes së masave ndëshkuese pas caktimit të datës për votimin e largimit të kryetarëve aktualë.
“(V.j., Votimi) Duhet të ketë mbi 50 për qind plus një të votuesve të regjistruar, pas së cilit nëse ato rezultojnë të tilla me largimin e kryetarëve, atëherë do të iniciohet apo fillohet me procedimin e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për katër komunat në veri, të cilat do të nënkuptonin mandate të kryetarëve për një vit, deri në vjeshtën e vitit 2025, kur janë zgjedhjet e rregullta lokale. Masat ndëshkuese do të duheshin të ishin larguar tashmë, për arsye se një prej kërkesave dhe kritereve ka qenë deeskalimi. Shihet se në veri s’ka situatë të eskaluar siç ishte në fillim verën e vitit të kaluar. Masat nuk kanë qenë për procesin e dialogut, kanë qenë vetëm për situatën e sigurisë, deeskalimin, uljen e numrit të policëve atje dhe pastaj organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale. S’ka pasur elemente apo kritere të tjera të natyrës politike në vendimmarrje”, ka thënë Kusari-Lila. /KSP