Në 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar tre veprimtarët e njohur shqiptarë që u vranë nga kriminelët serb.
Kurti thotë se derisa NATO kishte nisur bombardimet, kriminelët serb vranë Agim Hajrizin, Latif Berisha dhe Bajram Kelmendin, transmeton Telegrafi.
Agim Hajrizi, sindikalisti i paepur, Kryetari i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i organizimit komunal në Mitrovicë në vitet e ’90-ta, u vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën Nazmije dhe të birin 11 vjeçar, Ilirin”, ka thënë Kurti.
Kryeministri tutje ka shkruar se “Latif Berisha, politikan e intelektual, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, profesor universitar i historisë së letërsisë shqipe e autor i shumë studimeve, udhëheqës i pajtimit të gjaqeve, u vra nga forcat serbe në prag të shtëpisë së tij në Mitrovicë, në natën e 24 marsit”.
“Bajram Kelmendi, juristi i shquar dhe avokat aktiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, u rrëmbye nga shtëpia bashkë me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, nga policët serbë që i hynë dhunshëm në shtëpi në natën e 24 marsit 1999. Më 26 mars, ata u gjetën të vrarë”, ka pohuar më tutje.
Kryeministri në reagimin e tij pohon se vepra e tyre nuk shlyhet prej kujtesës.
“E përkujtojmë dhe e ruajmë historinë e aktivizmit intelektual dhe angazhimit politik të veprimtarëve tonë ndër breza. I përjetshëm qoftë kujtimi për Agim Hajrizin, Latif Berishën dhe Bajram Kelmendin! Lavdi të gjithë atyre që u vranë nga Serbia pushtuese, në rrugëtimin tonë për lirinë e Kosovës”.
Ndryshe, sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe. Aeroplanë të NATO-s bombarduan në territorin e Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.