Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka publikuar sot agjendën zyrtare për sesionin pranveror, ku është konfirmuar edhe diskutimi për anëtarësimin e Kosovës.
Sipas kësaj agjende, debati do të mbahet më 18 prill, nga ora 10:00-12:30, dhe aty do të prezantohet raporti nga raportuesja për Kosovën Dora Baokyannis, Azdeh Rojhan nga Suedia dhe Beatrice Fresko-Rolfo nga Monako.
Pas debatit, pritet të ketë votim dhe nëse Kosova kalon me sukses këtë fazë.
Votimi që pritet të ndodhë në maj në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës do të jetë përcaktues nëse vendi do të anëtarësohet në KiE.
Ndryshe, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.
Opinioni i Bakoyannis kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend, sipas nenit 5.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.
Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].
Kjo Gjykatë – me seli në Strasburg – konsiderohet një prej mjeteve juridike më efektive në gjithë Evropën.
Ajo do të mund të jetë një derë e re që hapet për shtetasit e Kosovës, dhe për Kosovën si shtet, nëse një palë beson se është trajtuar padrejtësisht në proceset paraprake gjyqësore.