Përzgjedhësja e Përfaqësueses së Kosovës për futbolliste, Anneli Andersen, e ka vlerësuar të vështirë përballjen kundër Ukrainës. Ajo ka vlerësuar se Kosova ka shënuar ngritje. Por insiston se ndeshja kundër Ukrainës do të jetë sfiduese për ekipin e saj. Ndeshja Ukrainë – Kosovë zhvillohet të premten në terren neutral. Luhet në Antalia nga ora 17:00.
Kosova në Grupin B4 e ka edhe Uellsin dhe Kroacinë. Nëse përfundon në tri pozitat e para, Kosova vazhdon në plejof për kualifikim në Evropianin që vitin tjetër mbahet në Zvicër. Në plejof mund të avancojë edhe prej pozitës së katërt.
“Mezi presim një sfidë të re me kundërshtarë të rinj në këtë Ligën B të kualifikimeve për Evropian. Gjatë dy vjetëve të fundit ekipi ynë ka bërë një rrugëtim të mrekullueshëm dhe kemi bërë progres si ekip sa herë që kemi luajtur ndeshje. Çdo stërvitje e çdo grumbullim është një mundësi për t’u përmirësuar. Jemi të vetëdijshëm se jemi autsajder në grupin tonë dhe po përgatitemi për një sfidë të vështirë, ku duhet të punojmë vërtet shumë si ekip, e po ashtu edhe si individë. Por kështu është futbolli, duhet të punosh shumë për të marrë atë që dëshiron. Dhe ne jemi të gatshëm të punojmë maksimalisht dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në lojë”, ka thënë Andersen.
Kosova ka seri prej 14 ndeshjeve pa humbje. Synon të vazhdojë edhe më gjatë me rezultate pozitive.
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Ukrainës, Volodymyr Paytenko, i ka vlerësuar paraqitjet e Kosovës së fundmi dhe ka thënë se presin ndeshje të vështirë.
“I kemi studiuar kundërshtarët dhe kemi bërë ushtrime taktike. Kosova është paraqitur mirë në Ligën e Kombeve, ka avancuar nga Liga C në Ligën B. Më pas në muajin shkurt ka luajtur mirë në ‘Turkish Ëomen’s Cup’, dhe i ka fituar të tria ndeshjet, kundër Indisë, Estonisë dhe Hong-Kongut”, ka deklaruar selektori Paytenko.
Ai ka insistuar se Kosova ka lojtare shumë cilësore.
“Kosova ka linjë të fortë sulmuese, sepse shumë lojtare luajnë në klube të huaja. Kështu, kapitenia e ekipit, sulmuesja Erëleta Memeti, luan për Hoffenheimin. Sulmuesja Valentina Limani paraqitet për Eintracht Frankfurtin, kurse Elizabeta Ejupi për Sunderlandin anglez. Ka lojtare nga kampionati i Zvicrës, Austrisë, Suedisë dhe Turqisë. Kemi detyra të vështira para, sepse qëllimi ynë është të fitojmë në çdo ndeshje. Minimumi është arritja në plejof, ndërsa maksimumi është të shkojmë në ‘Euro 2025’”, deklaroi ai.
Nikoqire e Evropianit 2025 do të jetë Zvicra, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen në tetë qytete të ndryshme, nga 2 deri më 27 korrik.
Nga katër grupet e Ligës B, gjashtë skuadra avancojnë në raundin e dytë.
Kosova ndeshjen e dytë e ka ndaj favoritit të grupit, Uellsi. Kjo ndeshje zhvillohet më 9 prill. Kosova është vendëse, por mbetet të shihet se ku do të luhet takimi. Së fundi, si nikoqire Kosova kishte luajtur më 1 dhjetor të vitit të kaluar. E kishte pritur Bullgarinë në Podujevë dhe kishte fituar 5:1. Ndeshja i takoi Ligës C të Ligës së Kombeve. Uellsi, megjithatë, është përfaqësuese e nivelit dukshëm më të lartë se Bullgaria.
Ndeshja Kosovë – Kroaci zhvillohet më 31 maj. Më 4 qershor futbollistet e Kosovës luajnë në udhëtim ndaj Kroacisë, ndërsa më 12 korrik e presin Ukrainën. Uellsi – Kosova është ndeshja e fundit e këtij grupi dhe zhvillohet më 16 korrik.