Real Madridi ka siguruar sot (e shtunë) titullin kampion në La Liga për herë të 36-të në histori të klubit, pasi madrilenët kryen detyrën ndaj Cadizit në ‘Santiago Bernabeu’ dhe Barcelona dështoi që të fitojë ndaj Gironës.
Në një stadium të mbushur i tëri, madrilenët nuk gabuan dhe morën një fitore të lehtë me rezultat 3-0 ndaj Cadizit, për të bërë hapin i cili doli të ishte final në luftën për titull kampion.
Rivali i përjetshëm Barcelona ia mundësoi Real Madridit që ta festonte titullin e kampionit para kohës, duke marrë parasysh se kanë mbetur edhe katër xhiro para përfundimit të kampionatit.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, tekniku italian Carlo Ancelotti tregoi momentin më vendimtar të Real Madridit në La Liga këtë sezon.
“Momenti më vendimtar në garën për titull ishte goli i Jude Bellingham ndaj Barcelonës”, ka thënë Ancelotti para gazetarëve.
Italiani e ka pasur fjalën për golin që Bellingham e shënoi në minutat e fundit të ndeshjes në El Clasicon e cila u luajt disa javë më parë në ‘Santiago Bernabeu’ e që përfundoi me rezultat 3-2 në favor të madrilenëve.
Vëmendja e Ancelottit dhe ekipit të tij tani do të përqendrohet tërësisht tek dueli me Bayern Munichun, që do të zhvillohet të mërkurën dhe fituesi i atij takimi do të sigurojë finalen e Ligës së Kampionëve që do të luhet më datë 1 qershor në ‘Wembley’ të Londrës.