Ish-futbollisti i Barcelonës, Edgar Ié po akuzohet se e kishte aktivizuar vëllain e tij binjak për ta zënë vendin e tij kur e transferoi klubi rumun, Dinamo Bucharest.
Rasti i pabesueshëm është zbuluar nga gazetari Daniel Sendre, derisa klubi po lufton për mbijetesë.
Dinamo e transferoi Edgar Ié në muajin shkurt, por u befasua kur lojtari nuk fliste aspak anglisht, përkundër faktit se e kishte kaluar një kohë në Spanjë, Francë, Turqi dhe Holandë, shkruan “Goal.com”, përcjell.
Përforcimi i dyshimtë i zhvilloi pesë ndeshje, ndërsa presidenti i klubit, Florin Prunea foli për spekulimet nëse vëllai i Edgar Ié, Edelino, është personi që ka përfunduar në fushën e blertë.
“Duket joreale. Më dukej sikur isha në gjumë. Nisa të bëja telefonata, të flisja me miqtë dhe lajmi është i vërtetë, nuk mund ta besoj. Askush nuk e ka marrë vesh. E kuptova se ai e kishte një vëlla binjak, i cili po ashtu ishte futbollist”, deklaroi ish-futbollisti i Dinamos, aktualisht president i klubit.
Nëse vërtetohet se lojtari që u fut në fushë nuk ishte ai që ishte regjistruar në Federatën Rumune, Dinamo rrezikon t’i humbasë tetë pikë, të cilat i ka marrë gjatë pesë ndeshjeve në të cilat Edelino u paraqit në fushën e blertë.
Federata Rumune e Futbollit ka nisur t’i ndërmarrë masat dhe lojtarit do t’i bëhet testi i ADN-së, i cili do të qartësojë gjithçka.
Dinamo zotohet se nuk e ka ditur një gjë të tillë dhe do të ankohet nëse dënohet.
Edgar Ié, i cili është përfaqësues i Guinea-Bissau, i ishte bashkuar gjigantit spanjoll, Barcelona në vitin 2012 dhe e kishte bërë debutimin në ekipin senior nën drejtimin e Luis Enriques në dhjetor të vitit 2014.
30 vjeçari më pas ka luajtur edhe për Villarreal B, Os Belenenses, Lille, Nantes, Trabzonspor, Feyenoord e Basaksehir para se t’ju bashkohej rumunëve të Dinamos.
Vëllai i tij, Edelino kishte kaluar kohë tek të rinjtë e Sporting Lisbonës para se t’i provonte edhe disa klube portugeze.