Kapiteni i Atalantas në finalen e Europa League, të cilën skuadra italiane e fitoi me rezultatin 3-0 ndaj Bayer Leverkusen, Berat Gjimshiti deklaroi për mediet pas këtij triumfi historik se e gjitha i duket e pabesueshme.
“Është e vështirë të gjesh fjalët tani, as që po e kuptoj se çfarë bëmë. Një sukses kaq i madh, pas finales së humbur në Kupën e Italisë, është i pabesueshëm. Megjithatë tani nuk më interesojnë 3 finalet e humbura”-tha fillimisht shqiptari.
Më tej, mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit u shpreh se sot e mësoi se do të ishte ai kapiteni i Atalanta-s në këtë përballje dhe se ndjehet shumë krenar.
“Jam krenar, sot mësova se do të mbaj shiritin në krah. Grupi është fantastik, luajtëm shumë mirë dhe me meritë”-vijoi kapiteni “kuqezi”.
I pyetur nëse e priste këtë sukses në momentin e parë kur është bashkuar me Atalanta-n, mbrojtësi deklaroi se nuk e kishte imagjinuar kurrë, shkruan SuperSport.
“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë. Kur arrita situata dhe pritshmëritë ishin të ndryshme, ne po luanim për të shmangur rënien. Ardhja e Gasperinit solli një filozofi të re, ai gjithmonë dëshiron të përmirësojë lojtarët dhe t’i bëjë ata të performojnë dhe të japin më të mirën e tyre. Pastaj pas disa viteve fillova të imagjinoj një moment të tillë, ndoshta jo Europa League, ndoshta më shumë Kupën e Italisë, por sot e meritojmë të gjithë këtë”-përfundoi Berat Gjimshiti.