Analisti politik, Visar Ymeri, vlerëson se përcaktimi i mënyrës së zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë tema kryesore e takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 qershor në Bruksel.
“Dialogu në nivelin më të lartë politik po bëhet ose për të arritur marrëveshje, ose për të diskutuar se si të zbatohet ajo për të cilën janë marrë vesh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Kurti dhe Vuçiq udhëheqin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në nivelin më të lartë politik, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, ata nuk janë takuar që nga mesi i shtatorit të vitit të kaluar.
Politikologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se takimi i 26 qershorit është thirrur vetëm për të treguar se “dialogu është gjallë” dhe ai nuk pret ndonjë rezultat konkret.
“Jo se nuk kanë çka për të folur, por gjasat janë të vogla që të bien dakord për ndonjë gjë”, thotë ai.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha më 24 qershor se shpreson të ketë përparim në dialog dhe kujtoi se ekziston një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila duhet të zbatohet në terren.
Ai tha se “ka problem” sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, por theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë “për të ditur se ku jemi”.
Ku është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë?
Në fund të shkurtit të vitit 2023, Kosova dhe Serbia pranuan Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, e cila do të duhej t’i zgjidhte shumë çështje të hapura.
Në mes të marsit të atij viti, ato ranë dakord edhe për Aneksin për zbatimin e marrëveshjes, por, ndërkohë, palët filluan t’i shprehnin rezervat e tyre.
Prishtina zyrtare këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjes për të siguruar, siç thotë, zbatimin e plotë të saj, ndërsa Beogradi e refuzon një gjë të tillë, me arsyetimin se nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian në disa raste e ka bërë të qartë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, edhe pse nuk është nënshkruar.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se në fokus të takimit të 26 qershorit në Bruksel “do të jetë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, Aneksi për zbatimin e saj dhe rruga përpara”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një fjalim para opinionit më 24 qershor, tha se pala serbe do të jetë konstruktive dhe do të përpiqet t’i zgjidhë problemet përmes dialogut.
Bashkimi Evropian bëri të ditur se Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialog, Mirosllav Lajçak, do të takohen fillimisht veç e veç me Kurtin dhe Vuçiqin, e më pas do të zhvillohet takimi i përbashkët.
Ky do të jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pas ngjarjeve në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau një polic.
Kosova e akuzoi Serbinë për këtë sulm, por ajo e mohoi çdo përgjegjësi.
Në tryezë edhe tema të tjera?
Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, beson se në takimin e ardhshëm mund të diskutohet edhe për tërheqjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.
Qeveria e Kosovës e mori këtë vendim në mes të qershorit të vitit 2023 për arsye sigurie, përkatësisht pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.
Policët, ndërkohë, u liruan, por Kosova nuk e anuloi ndalesën, edhe pse bashkësia ndërkombëtare e kërkoi një gjë të tillë, duke theksuar nevojën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.
Politikologu Ognjen Gogiq nuk e përjashton mundësinë që, më 26 qershor në Bruksel, të ngrihet edhe çështja e zbatimit të Marrëveshjes për hapjen e urës kryesore në Mitrovicë për trafik.
“Ka pak mundësi që ata të arrijnë marrëveshje për këtë, prandaj Lajçak tha se ura nuk duhet të hapet nëse nuk arrihet marrëveshje”, thotë Gogiq.
Autoritetet e Kosovës paralajmëruan se këtë verë mund të hapet ura kryesore mbi Ibër, e cila e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, ku jeton popullata shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, ku shumica janë pjesëtarë të komunitetit serb.
Edhe pse ekziston një marrëveshje për hapjen e kësaj ure, e cila është arritur në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja, kjo e fundit thotë se ura duhet të hapet në mënyrë paqësore, në komunikim me popullsinë vendase.
Nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR – pjesëtarët e të cilit patrullojnë në urë – thonë se çdo vendim për hapjen e saj për qarkullim, duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Qytetarët e Kosovës – shqiptarë dhe serbë – të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se nuk kanë pritshmëri të mëdha nga takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit, pasi, sipas tyre, dy palët nuk kanë vullnet politik për normalizimin e marrëdhënieve.
“Nuk janë seriozë. Thjesht, na e humbin kohën dhe energjinë”, thotë Muharremi nga Prishtina.
Bajrami thotë se takimi as që duhet të mbahet nëse pritet që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Askush në botë nuk ka më shumë të drejta se serbët në Kosovë. Çfarë u duhet Asociacioni? Ai nuk duhet të ekzistojë”, sipas tij.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të duhej t’iu siguronte serbëve në Kosovë më shumë të drejta, përkatësisht një nivel të vetëmenaxhimit.
Drita thotë se nuk e ndjek shumë politikën, por se nuk beson se, në një të ardhme të afërt, mund të ketë përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Secili thotë rrëfimin e vet. Askush nuk e di se çfarë po ndodh në të vërtetë. As nga ky takim nuk pres diçka. Është gjithmonë njësoj”, thotë kjo qytetare e Prishtinës.
Me të pajtohet edhe Filipi nga Mitrovica e Veriut – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Ne nuk e dimë se çfarë thonë, çfarë bëjnë… Njëra palë thotë një gjë, pala tjetër thotë diçka tjetër… Të njëjtën gjë pres edhe tani. Ura ndoshta do të hapet, sepse ato [autoritetet e Kosovës] e kanë planifikuar”, thotë ai.
Rezultate konkrete nga takimi mes Kurtit e Vuçiqit nuk presin as Aleksandra dhe Mlladeni, po ashtu nga Mitrovica e Veriut.
“Nuk e prisja as që do të takoheshin. Duhet të ketë ndonjë shans që të arrihet marrëveshja, apo, së paku, të zbatohet ajo që është dakorduar. Asnjë nga takimet nuk ka dhënë rezultat deri më tani. Andaj, nuk besoj se do të ketë as tani”, thotë Aleksandra.
“Nuk e di as pse takohen. Të na flasin për demokracinë dhe të na gënjejnë”, thotë Mlladeni.
Nga çka varet zbatimi i marrëveshjes?
Gogiq thotë se bashkësia ndërkombëtare do të insistojë që Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të zbatohet, por se një gjë e tillë është vështirë të arrihet në terren, sipas tij.
“Të dyja palët i kanë paraqitur qëndrimet e tyre [kundërshtuese] aq herë saqë nuk ka vend për përafrim. Serbia do të thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është parakusht për të ecur përpara, ndërsa Prishtina, në anën tjetër, do të thotë se marrëveshja duhet të nënshkruhet. Është vërtet vështirë ta kuptosh se përse është e nevojshme që prapë të konstatohet se sa larg janë pikëpamjet e palëve”, thotë Gogiq.
Ymeri thotë se përparimi në zbatimin e marrëveshjes varet prej asaj që pritet nga palët.
“Nëse Kurti pritet ta bëjë hapin e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo nuk do të ndodhë para zgjedhjeve në Kosovë, të cilat priten në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm. Por, ka edhe një faktor tjetër që e bën këtë takim të rëndësishëm dhe ai është se Kurti dhe Vuçiq do të informohen edhe një herë se marrëveshja dhe plani i zbatimit ekzistojnë dhe se ata nuk do të marrin asnjë cent [nga BE-ja] për Ballkanin Perëndimor, nëse nuk bëjnë hapa përpara”, thotë Ymeri.
Lajçak, gjatë një vizite të paparalajmëruar javën e kaluar në Prishtinë dhe në Beograd, i informoi palët se qasja e Kosovës dhe e Serbisë në fondet e BE-së do të varet nga përparimi në dialog.
BE-ja parashikon ndarjen e një fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian të këtij rajoni. Plani i saj u diskutua në Tiranë më 29 shkurt.
Lajçak theksoi se Kosova dhe Serbia, për të pasur qasje në këto fonde, e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialog. /REL/