Legjenda franceze, Thierry Henry e ka lavdëruar talentin francez, Michael Olise, duke parashikuar një të ardhme të ndritur për të.
Olise ka qenë një lojtar kyç në rrugëtimin e ekipit kombëtar të Francës drejt finales, duke filluar në katër nga pesë ndeshjet.
Ai u pushua për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, pasi ekipi i tij kishte siguruar tashmë një vend në fazën e eliminimit direkt.
22-vjeçari shënoi dy herë, duke përfshirë një gol vendimtar në fitoren 3-1 në shtesë në gjysmëfinalen ndaj Egjiptit, duke ndihmuar ekipin e tij të arrinte ndeshjen e për medaljen e artë në Parc des Princes në Paris.
Ai gjithashtu bëri 5 asistime gjatë turneut të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, duke bërë që shumë të flasin për të.
Njëri nga ta është edhe legjenda franceze, Henry, i cili ka parashikuar një të ardhme të ndritur për lojtarin e ri të Bayern Munichut.
“Ai ka cilësi të jashtëzakonshme, dhe ju nuk keni parë asgjë ende, është vetëm fillimi. Nuk ndodh shpesh që të merrni lojtarë të tillë”, ka thënë Henry.
Ndryshe, paraqitjet e forta të Olise pasojnë një sezon mbresëlënës me Crystal Palace, ku ai shënoi 10 gola dhe dha gjashtë asistime në vetëm 19 ndeshje në Ligën Premier, pavarësisht se u përball me lëndime.