Presidentja Vjosa Osmani tha se kryengociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi duhet të tregojë se për çfarë tema është dakorduar me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ndërsa Bislimi të martën ndodhej në Bruksel për rundin e ri të dialogut, Osmani paralajmëroi nga Prishtina se do të shkelej sovraniteti dhe Kushtetuta e Kosovës “në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë”.
“Sa i përket temave, për atë duhet ta pyesni kryenegociatorin se për çfarë tema është dakorduar, sepse është thënë në publik se janë dakorduar për disa tema së bashku me zotin Lajçak. Mirëpo, po e përsëris, në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, tha Osmani.
Ajo tha se çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë “patjetër duhet të diskutohet, të dialogohet me partnerët tanë të sigurisë”, sepse “edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë”.
“Ato në të cilat ne po thirremi dhe po themi është paraparë hapja e urës më 2016-ën dhe 2017-ën, po ashtu parashohin rolin e Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, kryetarit të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut, shoqërisë civile dhe të tjera. Pra, janë detyrime që dalin edhe nga vetë marrëveshjet e dialogut, por mbi të gjitha është interes i Kosovës që ne të punojmë me partnerët tanë të sigurisë, ta kemi këtë plan i cili pastaj do të zbatohet dhe kur të hapet ura do të jetë vendim i qëndrueshëm që nuk do të mund të sfidohet, as nuk do të duhej të sfidohet nga askush”, tha presidentja në një konferencë për media, pas lansimit të Qendrës së Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.
Osmani tha paraprakisht se “Kosova vazhdimisht ka treguar përkushtim për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit”.
“Problemi eshte që ky dialog ka qe një kohë të gjatë që nuk po dëshmon se po organizohet në përputhje me parimin e barazisë së palëve. Pra, në asnjë moment nuk shihet që të dy palët po trajtohen të barabarta”, tha ajo.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha të martën se ura do të hapet, ndërsa përmendi koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe bisedat në Buksel.
“Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt. Unë jam i bindur se pas bisedimeve dhe koordinimit të nevojshëm me KFOR-in, i cili është prezent aty, por edhe bisedave në Bruksel, shumë shpejt do të kemi një situatë tjetër”, tha ai për Deutsche Welle-n në gjuhën shqipe.
Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq ishin të martën në Bruksel për rundin e ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkombëtarët kanë insistuar vazhdimisht që çështja e hapjes së urës të diskutohet atje.
Zyra e Kryeministrit, ndërsa njoftoi për takimin e Bislimit me Lajçak në kuadër të dialogut në Bruksel, tha në një komunikatë të martën se “sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.
“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, u tha në komunikatën e ZKM-së.
Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ndërkaq, tha se ka kërkuar ripërcaktim të kufirit që e ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut si parakusht për hapjen e urës.
“Në pjesën ligjore kërkojmë respektimin e marrëveshjes ku insistojmë në demarkacion në zonën e Suhodollit si parakusht për hapjen e urës”, tha Petkoviq nga Brukseli, siç raportuan mediat në Beograd.
Komuna e Mitrovicës së Jugut këmbëngul moti se fshati Suhodoll i takon asaj, ndërkohë që të kundërtën e kanë pretenduar serbët që kanë udhëhequr me Komunën e Mitrovicës së Veriut.