Kombëtarja e Kosovës e shkroi historinë së fundmi duke i regjistruar tri fitore radhazi në ndeshje miqësore, gjë e cila nuk kishte ndodhur më herët.
Dardanët e mposhtën dy herë Qipron, fillimisht 4:0 në udhëtim dhe pak ditë më parë 3:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Gjithashtu, e mundën edhe Lituaninë në udhëtim me rezultat 2:1 gjatë këtij muaji.
Krejt këto fitore vijnë pas humbjes së rëndë paraprake që Verdhekaltrit e pësuan në shtëpi nga Rumania.
E pikërisht kjo e fundit është kundërshtarja kryesore e ekipit të Franco Fodës.
Kosova do të përballet me rumunët në Bukuresht në muajin e ardhshëm në ndeshjen vendimtare të Grupit 2 në Ligën C.
Aktualisht, Amir Rrahmani me shokë gjenden në vendin e dytë në grup me 9 pikë, 3 më pak se Rumania.
Kosovës i duhet të fitojë me katër gola epërsi për të kaluar në vend të parë.
Përkundër punës së vështirë që i pret, futbollistët Dardanë besojnë se kanë kapacitet për të fituar në Rumani.
Edon Zhegrova, Ermal Krasniqi dhe Emir Sahiti janë shprehur optimistë se Kosova do të dalë mirë nga sfida me Rumaninë.
“Pas kartonit të verdhë gjatë gjithë kohës e pata mendimin, se pata shumë provokime në fillim, tek ndeshja ndaj Rumanisë dhe besoj që ndeshja kundër Rumanisë do të jetë një finale dhe do të shkojmë për fitore”, deklaroi Zhegrova.
“Ka me qenë një ndeshje e vështirë, të gjithë e dimë. Normalisht, do të përgatitemi në maksimum, kemi kohë dhe kanë kohë trajnerët dhe stafi që ta analizojnë mirë. Na pret një ndeshje e vështirë, por normalisht do të shkojmë atje për ta dhënë maksimumin. Nëse luftojmë të gjithë së bashku, besoj se gjithçka është e mundshme”, u shpreh Krasniqi.
“Ka me qenë ndeshje shumë e fortë, ne duhet të jemi shumë të përgatitur. Duhet të shkojmë atje për ta fituar ndeshjen, kurgjo tjetër. Duhet të jemi100 për qind maksimalisht dhe shpresojmë që asnjë lojtar që ishim sot të mos jenë të lënduar, që të jetë krejt grupi mirë, shëndosh dhe të shkojmë në Rumani për ta bërë maksimumin tonë”, tha Sahiti.
Kosova do të luajë më 15 nëntor me Rumaninë në udhëtim, ndërsa do ta mbyllë këtë kampanjë të Ligës së Kombeve më 18 nëntor në Prishtinë kundër Lituanisë.
Nëse përfundon në vendin e dytë, Kosova do të luajë në fazën e “play-off”-it.