Fjalë Kyçe

Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Rumanisë – Foda me disa ndryshime në rreshtim dhe emra

Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Rumanisë – Foda me disa ndryshime në rreshtim dhe emra

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda pritet t’i bëjë disa ndryshime të detyruara në ndeshjen e sotme (e premte) ndaj Rumanisë, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Dardanët janë mysafirë të rumunëve në ndeshjen që pritet të zhvillohet në “Arena Nacionale” të Bukureshtit, me fillim nga ora 20:45.

Djelmoshat e Fodas janë të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe pritet të hakmerren pas humbjes nga Rumunët në Prishtinë.

Por, si pritet të luajë Foda në këtë ndeshje, pas mungesave të shumta shkaku i lëndimeve?

Telegrafi mëson se trajneri gjerman do t’i besoj kësaj radhe rreshtimit 4-3-3, duke pasur një mesfushë më të ngjeshur sesa në ndeshjen e parë të zhvilluar në ‘Fadil Vokrri’.

Në portë nga minuta e parë do të luajë Arijanet Muric, Mërgim Vojvoda do të luajë në të djathtë, Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellova në qendër, ndërsa Fidan Aliti pritet të marrë pozitën e mbrojtësit të majtë pas mungesave të Leart Paqaradës dhe Donat Rudhanit.

Në mesfushë, Elvid Rexhbeçaj pritet të jetë i ndihmuar nga Valon Berisha dhe Muharrem Jashari, i cili mendohet se ka fituar balotazhin me mesfushorin e Ballkanit, Lindon Emerllahu.

Në sulm, Vedat Muriqi do të jetë i vetëm në qendër, i ndihmuar nga Edon Zhegrova në të djathtë dhe Florent Muslija në të majtë, i cili në raste do të bëhet edhe mesfushori i katërt për të bërë atë repart më të dendur.

Vlen të theksohet se përveç Paqaradës dhe Rudhanit, te Dardanët në këtë ndeshje do të mungojnë edhe Milot Rashica dhe Bersant Celina.