Vedat Muriqi e ka përgëzuar ekipin kombëtar të Kosovës pas fitores që Dardanët e regjistruan kundër Lituanisë mbrëmë me rezultat 1:0.
Sulmuesi i Mallorcës luajti edhe në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndonëse i mungoi goli, njëjtë si në duel me Rumaninë.
Sidoqoftë, futbollisti shtatlartë e dha kontributin e tij mbrëmë duke asistuar në golin e Muharrem Jasharit në pjesën e parë.
30 vjeçari ndër të tjera thotë ndihet mirë kur sheh prurje të reja në Kombëtare, ndërsa kështu e kupton se dalëngadalë po shkon kjo gjeneratë e Kosovës dhe po bëhet gati të vijë një tjetër.
“Në ditën e parë këtu i kam pasur 23 vjet, tash po ‘plakemi’ dhe po vjen një gjeneratë e mirë. Shpresoj të mos ndalet kjo, të kemi sa më shumë talentë në ekip”, u shpreh Muriqi pas lojës për RTK, teksa e përgëzoi Jasharin për golin e realizuar.
Ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios foli edhe për ndeshjen e ndërprerë me Rumaninë, duke e lavdëruar ekipin Dardan për paraqitjen, të cilën e konsideron si më të mirën në çdo aspekt të shfaqur nga ai me shokë.
Verdhekaltrit u larguan nga fusha pas thirrjeve raciste të tifozëve rumunë në fund të ndeshjes së zhvilluar në Bukuresht të premten që shkoi derisa rezultati ishte i barabartë, 0:0.
UEFA pritet të marrë vendim në ditët në vazhdim për këtë lojë.