Në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës përkatësisht në Sektorin e cilësisë së ajrit ku Shkumbin Shala punon si Specialist i Cilësisë së Ajrit, ai tregon se IHMK filloi në vitin 2009 me monitorimin e cilësisë së ajrit, ndërsa më pas në vitin 2013 janë instaluar 13 stacione për monitorimin e cilësisë së ajrit me standardet e direktivës 2008/50, ku monitorohen parametrat meteorologjik, parametrat ndotës si: pluhuri, PM10, PM2.5, SO2, O3 dhe CO.
Piku më i lartë i ndotjes bazuar në matjet e cilësisë së ajrit fillon në muajin nëntor dhe zgjat deri në fund të muajit shkurt ku ka tejkalime të parametrave të grimcave të pluhurit si PM10 dhe PM2.5.
Si pasojë e termocentraleve të vjetruara ndotja ndodh kryesisht në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë.
“Indikatorët tjerë të cilët kontribuojnë në ndotje janë edhe: ekonomitë familjare, trafiku, mbeturinat, hapësirat e pa gjelbëruara, rrugët të cilat janë parametra ndotës të cilësisë së ajrit. Informimi i qytetarëve rreth cilësisë së ajrit në kohë reale përmes portalit të cilësisë së ajrit, 6 ekrane në Prishtinë, 1 ekran në Obiliq, aplikacioni mobile: Android dhe iOS”, thotë Shala për Telegrafin.
Sipas tij, mbrojtja e qytetarëve nga ndotja e ajrit prej muajit nëntor deri në fund të muajit shkurt, gjatë ditëve me tejkalime të larta të cilësisë së ajrit në ekrane si dhe në portale shfaqen vizualizimet me ngjyrë të kuqe ku zakonisht sipas të dhënave historike ndodhin në mëngjes si dhe në mbrëmje ku qytetaret duhet të kenë kujdes të mos dalin si dhe t’i respektojnë rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik.
“Kategoritë si moshat e shtyra, gratë shtatzëna, fëmijët, personat të cilët kanë probleme me frymë marrje, personat të cilët kanë probleme me mushkëri si dhe personat të cilët kanë probleme kardio vaskulare”, duhet të kenë kujdes sipas tij. /Atdhe Sefa/