Ish-polici Jeton Menxhiqi do të përballet përsëri me akuza për korrupsion, pasi Gjykata e Apelit ka kthyer për herë të dytë lëndën e tij në rigjykim. Fillimisht, ai ishte dënuar me një vit e gjysmë burgim efektiv, ndërsa herën e dytë me dy vite burgim me kusht.
“Betimi për Drejtësi” në shkurt 2019 kishte publikuar hulumtimin me titullin “Korrupsioni në prokurimin e Policisë”. Një muaj e gjysmë pas transmetimit të emisionit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Menxhiqit.
Më 21 qershor 2021, ai u dënua për herë të parë me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv. Në shkurt 2022, rasti i tij u kthye në rigjykim. Më pas, në janar 2024, Menxhiqi u dënua me dy vite burgim me kusht.
Ndaj aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar në Apel, mbrojtësja e të akuzuarit Menxhiqi, avokatja Shpresa Hasaj Hyseni si dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, dhe pas shqyrtimit të ankesave, më 18 shtator 2024, Apeli e ktheu çështjen në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”
Në vendimin e Apelit thuhet se gjykata vlerësoi se pretendimet e mbrojtësit lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave procedurale qëndrojnë dhe se ekzistojnë shkelje të dispozitave nga neni 384, paragrafi 1.12. lidhur me nenin 364 paragrafi 1 dhe 370, paragrafi 6 dhe 7 të KPP-së, që kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
Kurse thuhet se pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me sanksionin penal si dhe pretendimet e mbrojtëses për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljen e ligjit penal, konsiderohen jolëndore.
Sipas vendimit, shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale konsistojnë në faktin se dispozitivi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i paspecifikuar lidhur me faktin se nuk është specifikuar forma alternative e kryerjes së veprës penale, dhe lidhur me qëllimin e të akuzuarit për përfitim të dobisë pasurore.
Sipas Apelit, nuk është e qartë nëse i akuzuari është shpallur fajtor për veprimet që ka kryer për përfitimin e tij apo të tjetrit. Gjithashtu, Kolegji tëheq vërejtjen se kjo mënyrë e formulimit të akuzës dhe e bartjes së saj në aktgjykim është e paqartë, dykuptimshme dhe krijon konfuzion.
Në vendim thuhet se Themelorja duhet të përshkruajë qartë faktet dhe rrethanat e veprës penale dhe që “actus reus” të përputhet me tiparet e veprës për të cilën akuzohet.
Në fund, thuhet se Kolegji konstatoi se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje të rëndësishme procedurale, pasi nuk është hartuar siç kërkohet nga ligji. Në rigjykim, kërkohet që gjykata e shkallës së parë duhet të përcaktojë saktë formën e veprës penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar,” të trajtojë pretendimet e palëve dhe të nxjerrë një aktgjykim të drejtë e të ligjshëm.
Pas transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” për korrupsionin në prokurimin e Policisë së Kosovës, ku ishte përfshirë zyrtari policor Jeton Menxhiqi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në prill të vitit 2019, kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës në Prishtinë, i pandehuri Jeton Menxhiqi, në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, në numër të prokurimit 214/17/048/111, i cili përfaqësonte Drejtorinë e Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.
Më 30 mars 2021, në seancën e shqyrtimit fillestar, Menxhiqi ishte deklaruar i pafajshëm. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU. /BetimipërDrejtësi