Fjalë Kyçe

Avokati i Popullit thekson nevojën për mekanizma më të fortë në luftën kundër diskriminimit

Avokati i Popullit thekson nevojën për mekanizma më të fortë në luftën kundër diskriminimit

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se ligji për mbrojtjen ndaj diskriminimit nuk po zbatohet në praktikë, për shkak të mungesës së mekanizmave të qartë ligjor për raportimin e shkeljeve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Qelaj ka bërë të ditur se është realizuar një hulumtim mbi punësimin e grave në sektorin publik, i cili tregon rritje të përqindjes së grave në këtë sektor, por një mungesë të përfaqësimit të tyre në pozitat vendimmarrëse.

“Nuk ka raportim për zbatim të ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit, fatkeqësisht në mungesë të mekanizmave të qarta ligjore që bëjnë përgjegjëse autoritetet publike për të raportuar. Megjithatë e kemi bërë një hulumtim në lidhje me punësimin e grave në sektorin publik, sepse në sektorin privat e kemi të pamundur të bëjmë një vlerësim dhe një analizë të tillë, na ka dalë se në përqindje ka rritje, thjesht është përtej pritjeve që ne kemi pasur, por kjo nuk është e njëtrajtshme në të gjitha pozitat. Përderisa, numri i grave në sektorin publik është rritur, numri i grave që janë pjesë vendimmarrëse, gjithmonë është më i vogël se burrat dhe këto vërehet një diskriminim”, ka thënë Qelaj.

Ai gjithashtu potencon se nuk ka mundësi për të vlerësuar diskriminimin në sektorin privat, duke kërkuar forcimin e mekanizmave raportues dhe rritjen e vetëdijes së qytetarëve.

“Mund të ketë edhe në sektorë të tjerë, por e kemi të pamundur të dimë në secilin rast individual kur nuk ka raportim, prandaj qëllimi është që të rriten dhe të fuqizohen mekanizmat raportues dhe të rritet vetëdija e qytetarëve që të raportohet secili rast i diskriminimit. Në anën tjetër është përgjegjësi dhe detyrim i autoriteteve të vlerësojnë situatën në raport me barazinë para ligjit dhe respektimin e parimit të mosdiskriminimit në secilën rast ku shtrojnë politika dhe hartojnë politika që do të zbatohen në interes të përgjithshëm”, ka theksuar ai.

Qelaj ka theksuar se pranon 80-100 ankesa për diskriminim çdo vit, kryesisht lidhur me punësimin dhe shërbimet sociale.

Ai ka theksuar se, megjithëse ekziston një kornizë ligjore e fortë për mbrojtjen e barazisë, zbatimi i saj mbetet një problem.

“Megjithatë, ajo që është me rëndësi se ne kemi një kornizë ligjore shumë të fuqishme në mbrojtjen e parimit të barazisë dhe mos diskriminimit por fatkeqësisht si ligjet e tjera edhe ky ligj nuk po zbatohet në praktikë”, tha Qelaj./EO