Ajo që pritej, e që shpresohej të mos realizohej, ndodhi. Konfederata Evropiane e Futbollit të martën njoftoi zyrtarisht se Kampionatin Evropian i vitit 2027 për futbollistët deri në moshën 21-vjeçare do të mbahet në Shqipëri dhe Serbi.
Që në maj të vitit të kaluar Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi për kandidaturën e përbashkët me Federatën e Futbollit të Serbisë për ta organizuar Evropianin e futbollistëve të grupmoshës Shpresa. Kandidatura Shqipëri – Serbi ishte e vetmja. Vendimi i UEFA-s pritej në dhjetor, por u mor të martën nga Komiteti Ekzekutiv i Konfederatës Evropiane.
Anëtar i Komitetit Ekzekutiv, si njëri prej nënpresidentëve të UEFA-s, është presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Duka ka mbrojtur shumë herë vendimin që Evropiani të organizohet bashkë me Serbinë. Por kritikat ndaj tij e ndaj FSHF-së ishin të shumta. Dhe vazhdojnë të jenë.
Por kritikat nuk është se sollën rezultat. FSHF-ja iu përmbajt idesë për ta organizuar Evropianin bashkë me Serbinë dhe prej të martës vendimi është zyrtar.
“Pas dorëzimit të një dosjeje të vetme të ofertës së përbashkët, Federatat Shqiptare dhe Serbe të Futbollit u caktuan mikëpritëse për edicionin e vitit 2027 të turneut. Turneu me 16 ekipe është planifikuar të luhet në katër stadiume në Shqipëri dhe katër stadiume në Serbi. Ndeshja hapëse do të zhvillohet në Serbi dhe finalja do të zhvillohet në Shqipëri”, ka njoftuar UEFA pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv.
Në Shqipëri ndeshjet do të zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Rrogozhinë. Finalja do të zhvillohet në “Air Albania”, stadiumin që zakonisht mbushet me tifozë nga Kosova kur luan Shqipëria dhe ku këngët për dashurinë ndaj atdheut i japin krahë kuqezinjve.
Në Serbi ndeshjet do të luhen në Novi Sad, Loznicë, Leskovc dhe Zajeçar. Ndeshja hapëse pritet në stadiumin “Karagjorgje” në Novi Sad.
Shqipëria U21 dhe Serbia U21 do të jenë pjesë e Evropianit. Nuk do të paraqiten në kualifikime. Në kualifikime do të përcaktohen 14 përfaqësueset tjera. Shorti tërhiqet të enjten, ndërsa pjesë e tij do të jetë edhe Kosova. Kualifikimet do të zhvillohen gjatë dy vjetëve të ardhshme.
Shqipëria e Serbia për herë të parë organizojnë Evropian U21. Shqipëria sivjet e organizon Evropianin U17, ndërsa në Tiranë më herët u luajt edhe finalja e Ligës së Konferencës.