Fjalë Kyçe

Rreziku nga objektet e vjetra: Kush është përgjegjës për parandalim dhe reagim?

Rreziku nga objektet e vjetra: Kush është përgjegjës për parandalim dhe reagim?

Shembja e një objekti të vjetër në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, më 1 shkurt, ku humbën jetën tre të mitur, është duke u hetuar nga Prokuroria, e cila rastin e ka iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Por, kjo Prokurori ende nuk ka bërë të ditur se kush saktësisht po hetohet apo dyshohet të jetë shkaktar apo fajtor në lidhje me incidentin.

Sipas Komunës së Gjakovës, ky objekt i braktisur ishte ndërtuar para vitit 1999 dhe ishte djegur rreth atij viti, duke lënë pas një strukturë të dobët, e cila u shemb në rrethana të panjohura duke zënë brenda fëmijët – dy 15 dhe një 13-vjeçar.

“Duke qenë në pronësi private, komuna nuk ka kompetenca të ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me objektin”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Komunës, Artan Haraqija.

Ai shtoi se lidhur me këtë objekt nuk kanë pasur ndonjë ankesë apo kërkesë për rrënimin apo sigurimin e tij, qoftë nga pronari apo banorët afër.

Haraqija shtoi po ashtu se “në raste të caktuara kur vetë inspektorët [komunalë] mund të vërejnë ndonjë objekt që paraqet rrezik, atëherë kontaktohet pronari dhe i shpjegohen mundësitë dhe procedurat për rrënimin e objektit”.

Megjithatë, sipas tij, deri më tani nuk kanë pasur “ndonjë rast ekstrem kur paraprakisht është vlerësuar shkallë e lartë e rrezikshmërisë”.

Komuna, po ashtu, nuk ka bërë të ditur nëse ka përpiluar ose do të përpilojë ndonjë dokument që identifikon objektet private apo publike me rrezikshmëri për shembje në këtë zonë.

“Në total nuk mund të flasim për numër të madh të objekteve të tilla, veçanërisht në zonë urbane dhe në zona të banuara nëpër fshatra”, tha Haraqija.

Çfarë thonë ligjet?

Komuna apo organet komunale konsiderohen ndër organet e para përgjegjëse për reagim dhe parandalim në disa raste të fatkeqësive natyrore, ku përfshihen edhe rreziqet nga shembja.

Kjo çështje është e rregulluar me Ligjin për parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe në veçanti në Planin e Reagimit Kombëtar të miratuar në fund të vitit 2023.

Ky plan i përpiluar nga Qeveria thotë se me incidentet, në përgjithësi, duhet të përballen niveli më i ulët i mundshëm administrativ sikurse policia, zjarrfikësit… dhe personeli tjetër në nivelin lokal.

Sipas këtij plani, kur një incident aktual ose i mundshëm ka përmasa dhe kompleksitet të tillë sa që konsiderohet si “incident me karakter kombëtar”, përgjegjësia bie edhe mbi nivelin qendror, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila vepron në koordinim me ministritë dhe agjencitë e tjera qeveritare.

Në veçanti, plani parasheh që kryetari i komunës është përgjegjës për koordinimin e resurseve komunale në funksion të “adresimit të të gjithë spektrit të veprimeve për parandalim, gatishmëri, reagim dhe rimëkëmbje nga incidentet, përfshirë fatkeqësitë natyrore dhe ato të tjera”.

Kryeqyteti me 61 shtëpi në rrezik shembjeje

Rreth 90 kilometra larg Gjakovës, edhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, po ashtu përballet me rreziqe nga objektet e vjetra.

Lulzim Fushtica, drejtor i Emergjencave në këtë komunë, i tha Radios Evropa e Lirë se rreth një muaj më parë kishin bërë identifikimin e rreth 61 shtëpive, disa mureve si dhe një lokali, që rrezikojnë të shemben.

Ai tha se komuna i bën këto vlerësime çdo gjashtë muaj dhe kryen inspektime dhe intervenime sipas nevojës nëpër objekte të ndryshme.

Fushtica tha se këto veprime i kryejnë duke u bazuar në Ligjin për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, ndonëse nuk ekziston ndonjë direktivë tjetër e veçantë që udhëzon komunat se si të veprojnë në këtë drejtim.

Fushtica shpjegoi se zakonisht kanë të bëjnë me tri kategori objektesh në rrezik që përfshijnë objekte private, ato të cilat kanë nisur të ndërtohen dhe kanë mbetur në gjysmë, si dhe objekte të vjetra që konsiderohen trashëgimi kulturore dhe janë nën mbrojtje nga qeveria qendrore.

Sipas tij, tek objektet në pronësi private, Komuna e ka të vështirë të intervenojë.

“Në një pjesë të madhe të tyre pronarët nuk janë fare në Kosovë dhe i kanë lënë objektet pa përkujdesje dhe ne, në bazë të ligjit, nuk mund të intervenojmë në pronë private sepse rrezikojmë të paditemi”, theksoi ai.

Ai shtoi se zakonisht mundohen që të kontaktojnë me pronarët për t’u koordinuar për sigurimin e objektit apo edhe rrënimin e tyre, nëse ka nevojë për intervenim nga Komuna.

Për kategoritë e tjera, Komuna tha se intervenon apo koordinohet me institucionet përkatëse për intervenim sipas nevojës.

Ai theksoi se rasti i Jabllanicës ka bërë që qytetarët t’i shtojnë thirrjet në drejtim të Komunës për t’i paraqitur objektet që përbëjnë rrezik.

Përveç Prishtinës, identifikimin e objekteve me rrezikshmëri e ka bërë edhe Komuna e Deçanit.

Në një plan të përpiluar në gusht të vitit 2024, Deçani kishte identifikuar 12 objekte të vjetra që rrezikojnë të shemben, duke përfshirë disa kulla (shtëpi tradicionale të vjetra banimi, kryesisht të ndërtuara me gurë).

Në këtë plan komuna ka listuar disa masa preventive që duhen ndërmarrë karshi këtyre objekteve, që përfshijnë shenjëzimin e deri te rrënimi.

Deri më tani, kjo komunë nuk u është përgjigjur pyetjeve se çfarë veprimesh janë ndërmarrë karshi këtyre objekteve.

Përveç objekteve private, në Kosovë ka pasur raste kur janë shembur edhe objekte nën mbrojtje shtetërore që kanë qenë vdekjeprurëse.

Një vajzë 3-vjeçare nga Prizreni humbi jetën në vitin 2016 si pasojë e shembjes së një shtëpie që gjendej në zonën e mbrojtur historike të këtij qyteti.

Në lidhje me këtë rast ishte ngritur aktakuzë ndaj drejtorit komunal për emergjenca dhe siguri, por gjykata e Prizrenit e liroi nga akuza në vitin 2019.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it në lidhje me atë se a ekziston ndonjë plan në nivel kombëtar që adreson rreziqet nga shembja e objekteve.

Ndërkaq, në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, rrethanat e sakta të shembjes së objektit nuk dihen.

Familjarët e viktimave, por edhe banorët e tjerë të fshatit, nëpër deklarime publike kanë thënë se nuk kanë pasur indikacione se objekti përbënte rrezik aq të madh për shembje sa që të ngrinin alarm tek institucionet.

“Askush në fshat nuk ka folur për të. Ka qenë i rrethuar me tela. Ka qenë në rrugë anësore, por nuk ka pasur shumë lëvizje përreth tij”, tha Bajrush Brahimaj, banor i Jabllanicës, më 3 shkurt 2025, ditën kur në fshat u mbajt ceremonia e varrimit për të miturit që humbën jetën nga shembja e objektit të vjetër