Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka komentuar periudhën e fushatës zgjedhore, duke e quajtur atë një nga më polarizueset që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.Miftaraj thekson se partitë politike janë duke përdorur gjuhë të urrejtjes dhe ofenduese, që sipas tij nuk përkon me gjuhën parlamentare.
“Mund të themi që nga shpallja e Pavarsisë, kjo është një ndër fushatat më polarizuese që ka ndodhur në Republikën e Kosovës. Kemi parti politike të cilat po mundohen që mungesën e rezultateve, mungesën e programeve ta ndryshojnë, ose në një formë ta kthejnë në gjuhë të urrejtjes shpesh, gjuhë ofenduese apo përdorim të fjalorit që nuk përkon me gjuhë parlamentare, me një gjuhë e cila do të duhej të ishte sinonim i partive të cilat synojnë të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës apo partive politike që synojnë me qenë në Republikën e Kosovës në katër vitet e fundit me vet faktin që PZAP ka shqiptuar gjoba që kanë shkruar në afërsi të 600 mijë euro në një farë mënyre e tregon se sa polarizuese dhe sa partitë politike i kanë kushtuar rëndësi ofendimeve, linçimeve të kundër kandidatëve apo kundër partive të tjera, që i kanë kundërshtar në këto zgjedhje”, tha ai në një intervistë për GazetaBlic.Miftaraj tha për dallim nga zgjedhjet e kaluara, partitë politike kishin programe të qarta në fusha të ndryshme, por në këto zgjedhje programet janë më të zbehta dhe pak rëndësi po i jepet çështjeve të drejësisë.
“Mund të themi se nëse e marrim për bazë partinë në pushtet, partia në pushtet nëse i marrim për bazë katër vitet më herët kishin zotime kishin një program të shkruar mirë, kishin objektiva të qarta në fusha të ndryshme, prej ekonomisë, drejtësisë, mirëqenia sociale, politika e jashtme, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare edhe të tjera. Në këto zgjedhje e kanë një program shumë të zbehur, i kushtojnë shumë pak rëndësi drejtësisë, i kushtojnë shumë pak rëndësi çështjeve që janë për interes për qytetarët dhe mungesa e saj po kthehet në një gjuhë ose polarizuese, me një fjalor i cili pothuajse nuk po kursen askënd, jo vetëm partitë politike por mund të themi edhe vet thelbin e demokracisë në një farë mënyre e aspiron e proklamon Kushtetuta e Kosovës. Derisa partitë politike opozitare po provojnë që programet e tyre që i kanë të i ofrojnë nëpër tubime, marrin pjesë nëpër debate televizive, e që nuk nuk është e njejta për partinë në pushtet e cila në një farë mënyre është duke i injoruar qasjen ose komunikimin me qytetarët përmes debatave televizive apo përmes një shkëmbimi të ideve me kundër kandidatët apo me partitë opozitare”, tha Miftaraj.Po ashtu, duke pasë parasysh gjobat që po shqipton Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj subjekteve politike, Miftaraj tregon se cili xhep do të preket.
“Tash Kuvendi i Kosovës ndan një shumë të caktuar për të gjitha partitë politike në Kosovë. Sigurisht, prej fuqisë së partisë politike që ka qenë në Kuvend në zgjedhjet e fundit ndahet edhe shuma financiare, normal më së shumti mjete financiare i takojnë partisë në pushtet pasuar nga LDK, PDK, AAK e të tjera. Kështuqë, partitë poltike mund ta shfrytëzojnë ti përdorin mjete, kryesisht që janë mjete që kanë të bëjnë me depokratizimin e partive politike, me mirëmbajtjen politike, dhe këto mjete në vend se të shfrytëzohen për çështje shumë të rëndësishme për partitë, tani të njëjtat duhet ti shlyejnë borxhe që kanë në PZAP, apo gjobat që i shqipton ky mekanizëm”, përfundoi ai.