Prokuroria Speciale i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të paraqitet në Prokurori në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kërkesa është pranuar dhe se ajo “është duke u shqyrtuar nga gjykata”.
Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet.
Nëse ai nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.
Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në kërkesën e REL-it për koment ndaj kësaj kërkese të Prokurorisë Speciale.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e kishte ftuar Kurtin të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Kurti kishte refuzuar të paraqitej në Prokurori, duke u bërë thirrje prokurorëve që të shkojnë ata dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.
Ftesën e parë Kurti e kishte marrë më 16 dhjetor, kur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti nuk ishte paraqitur pasi që ishte në udhëtim jashtë vendit dhe kishte shtuar se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.
Katër ditë më vonë, Kurti kishte marrë sërish ftesë nga Prokuroria, të cilës prapë nuk i ishtë përgjigjur pozitivisht.
Rasti i rezervave shtetërore
Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Qeveria ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin.