Fjalë Kyçe

Mos e mbivlerësoni aleancën autokratike

Mos e mbivlerësoni aleancën autokratike

Uashingtoni ka ende një ndikim të madh mbi Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë

Asnjë moment nuk e ka kapur më qartë ndryshimin e ekuilibrave globalë të pushtetit sesa ai kur Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Kim Jong Un ecnin krah për krah mbi qilimin e kuq, në paradën ushtarake të Kinës në fillim të shtatorit. Tre autokratët, pavarësisht historisë së gjatë të mosbesimit reciprok, shfaqën unitet kundër Uashingtonit. Mesazhi ishte i qartë: Kina është në qendër të një blloku anti-perëndimor në rritje, ndërsa Shtetet e Bashkuara duken të përçara brenda dhe të dobësuara jashtë.

Presidenti Trump nuk e ka fshehur kurrë atë që dëshiron nga këta tre: një marrëveshje paqeje me Putinin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, një marrëveshje tregtare me Xi për të riekuilibruar marrëdhëniet ekonomike SHBA-Kinë, dhe një samit me Kimin për të ringjallur diplomacinë në Gadishullin Korean. Por të tre i kanë refuzuar këto oferta. Në vend që të negociojnë sipas kushteve të SHBA-së, ata po bashkojnë forcat në Pekin, duke treguar jo vetëm gatishmërinë e tyre për të sfiduar lidershipin amerikan, por edhe aftësinë për ta bërë këtë së bashku.

Megjithatë, përtej kësaj shfaqjeje të kujdesshme, Kina, Koreja e Veriut dhe Rusia mbeten partnerë të brishtë. Ajo që i lidh është një afrim taktik, jo besimi apo vlerat e përbashkëta, por pakënaqësitë dhe nevojat e tyre. Historia tregon se ata nuk janë aleatë natyralë. Secili shtet është i kujdesshëm të mos mbërthehet në vorbullën e tjetrit dhe nuk është i gatshëm të sakrifikojë interesat e veta. Dhe secili ende kërkon diçka nga SHBA-ja – një levë që Uashingtoni duhet ta përdorë me mençuri.

Një treshe e vështirë

Hera e fundit kur Kina, Koreja e Veriut dhe Rusia u rreshtuan kaq ngushtë ishte gjatë Luftës së Koresë — një përvojë që rezultoi e dëmshme për të tre. Për Korenë e Veriut, përpjekja për të pushtuar jugun dështoi dhe e la vendin të izoluar e të varfër. Për Kinën, ndërhyrja u kushtoi qindra-mijëra jetë dhe resurse të shteruara. Dhe më e rëndësishmja, lufta solli një prani të përhershme ushtarake amerikane në rajon dhe i hoqi Pekinit mundësinë për të aneksuar Tajvanin. Mësimi për Kinën: aleanca me partnerë të paparashikueshëm mund të kthehet në barrë.

Pas luftës, dyshimi mes tyre u thellua. Pyongyang akuzoi Pekinin se i la interesat e tij mënjanë gjatë negociatave. Kjo solli spastrim të figurave pro-kineze nga udhëheqja e Koresë së Veriut. Ndërkohë, marrëdhëniet mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik u përkeqësuan deri në ndarje të plotë ideologjike e gjeopolitike. Kjo histori e gjatë tregon se mosbesimi, jo solidariteti, ka karakterizuar gjithmonë marrëdhëniet e këtij trekëndëshi.

Aleatë vetëm përkohësisht

Sot, mbi 30 vjet pas Luftës së Ftohtë, tre vendet kanë gjetur sërish kauza të përbashkëta kundër SHBA-së. Por nën sipërfaqe, ndarjet mbeten të thella. Pekini synon të ndryshojë rendin botëror pa e shkatërruar, duke dobësuar ndikimin amerikan, por pa humbur përfitimet ekonomike të lidhjeve me Perëndimin. Mbështetja e kufizuar që i ka dhënë Moskës në luftën e Ukrainës është pjesë e këtij kalkulimi. Nëse kostoja do të bëhej shumë e madhe, Kina do të ndryshonte qasje.

Ndërkohë, marrëdhëniet Moskë-Pyongyang po shkaktojnë shqetësim për Pekinin. Rusia po forcon lidhjet ushtarake me Korenë e Veriut, duke i dhënë teknologji dhe duke nënshkruar traktate mbrojtjeje. Kjo e dobëson ndikimin e Kinës në gadishull dhe i shton rreziqet e destabilizimit në kufijtë e saj.

Madje edhe mes Moskës e Pekinit ekziston rivalitet. Disa raportime flasin se shërbimet sekrete ruse e konsiderojnë Kinën “armik” dhe kanë frikë nga synimet e saj afatgjata mbi Siberinë dhe Lindjen e Largët Ruse.

Nga ana tjetër, Kim Jong Un është mjeshtri i lojës në këtë treshe. Ai i shfrytëzon tensionet për të nxjerrë më shumë përfitime, duke u afruar njëkohësisht me Moskën dhe Pekinin, për të mos u bërë i varur nga asnjëri.

Çfarë duhet të bëjë SHBA-ja

Edhe pse ky afrim i treshes nuk i jep Uashingtonit një avantazh të madh strategjik, ai i lë hapësirë për manovrim. SHBA ka ende levë ndaj secilit prej tyre:

Me Kinën, sepse Pekini kërkon stabilitet ekonomik dhe e shmang konfrontimin e drejtpërdrejtë. SHBA mund të lidhë marrëveshje tregtare me kusht që Kina të kufizojë ndihmën për Rusinë dhe të frenojë Korenë e Veriut.

Me Rusinë, sepse Moska do të ketë nevojë për një “dalje” nga lufta teksa humbjet rriten. Vetëm SHBA, Ukraina dhe aleatët mund t’i ofrojnë Putinit një rrugë negociuese.

Me Korenë e Veriut, sepse ajo kërkon lehtësim sanksionesh dhe njohje ndërkombëtare. Këto gjëra Pekini e Moska nuk ia ofrojnë dot plotësisht. Vetëm një marrëveshje me SHBA mund t’i hapë rrugë ndihmës dhe normalizimit.

Momentet si ai i qilimit të kuq në Pekin janë të krijuara për të tronditur Uashingtonin. Por, nëse SHBA shmang diplomacinë sipërfaqësore, e kupton burimin e ndikimit të saj, dhe e përdor fuqinë e saj ekonomike, ushtarake e diplomatike me disiplinë, ajo mund ta formësojë mjedisin strategjik në vend që thjesht të reagojë ndaj tij. / foreign affairs – bota.al