Kombëtarja e Kosovës e mori fitoren më të madhe në historinë e saj mbrëmë, duke e mposhtur Sllovakinë.
“Dardanët” fituan 4-3 dhe kështu siguruan kualifikimin në finalen e “play-offit” të Botërorit 2026.
Pas kësaj humbje të rëndë për ta, sllovakët kanë reaguar të dëshpëruar pas ndeshjes.
E për këtë fitore të madhe ka shkruar edhe gazeta prestigjioze, The Guardian, e cila thekson faktin që Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA vetëm një dekadë më herët dhe janë pranë kualifikimit në Kupën e Botës
“Kosova është në prag të një paraqitjeje të parë në një turne të madh, pas një fitoreje të çmendur 4-3 në Sllovaki. Vendasit kaluan dy herë në epërsi në Bratislavë me golat e Martin Valjent dhe Lukas Haraslin, por Kosova u rikthye me realizimet e Veldin Hodzës dhe Fisnik Asllanit. Kosova, e cila u pranua në garat e UEFA-s dhe FIFA-s vetëm një dekadë më parë, më pas kaloi në epërsi falë Florent Muslijës dhe shënoi edhe një gol tjetër përmes Kreshnik Hajrizi. Goli i David Strelec në kohën shtesë nuk mjaftoi për ta ndalur Kosovën, e cila tani do të presë Turqinë për një vend në Kupën e Botës”, shkruhej ndër tjera në artikullin e The Guardian.
Kosova pas kësaj fitore do të luajë në finalen e “play-offit” ndaj Turqisë, më 31 mars, ditë e martë.