Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Junik, ku një burrë dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës duke përdorur një armë automatike, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Z.K, i cili është gjetur i plagosur me armë zjarri në Lagjen Berisha në Junik.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, fillimisht Policia është njoftuar nga mjeku kujdestar i QKMF-së në Junik, i cili kishte dalë bashkë me ekipin mjekësor në vendngjarje për t’i ofruar ndihmë të plagosurit.
Kur zyrtarët policorë kanë arritur në shtëpinë e tij, ekipet emergjente po e trajtonin ende personin e plagosur, i cili më pas është transportuar me autoambulancë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa për shkak të gjendjes së tij është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm.
Në vendngjarje kanë dalë komandanti i stacionit policor, hetuesit nga Juniku, hetuesit rajonalë, krim-teknika rajonale dhe Prokurorja kujdestare për krime të rënda.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit kanë gjetur një armë automatike AK-47 në një automjet të parkuar në oborrin e shtëpisë, për të cilën dyshohet se është përdorur në rast.
Sinjali mëson se Policia ka sekuestruar armën, 47 fishekë që ndodheshin bashkë me të në automjet, katër fishekë të tjerë të gjetur brenda objektit, si dhe një predhë dhe një gëzhojë të të njëjtit kalibër.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti për veprat penale “Tentim vetëvrasje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet për rastin janë në vazhdim, ndërsa gjendja shëndetësore e të plagosurit nuk është bërë e ditur zyrtarisht.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.