James Rodriguez duket se do ta vijojë karrierën në Madrid, por jo te Reali, që e ka jashtë planeve dhe pret ofertën më të mirë për ta shitur.
Sipas së përditshmes Marca, fantazisti kolumbian dëshiron të jetojë në kryeqytetin spanjoll, por Bayern nuk e pagoi klauzolën prej 42 milionë eurosh (propozimi përmbante 3 këste nga 14 milionë) dhe tashmë as Napoli nuk pranon të shkojë aq lart.
Këtu përfiton Atletico e Madridit, që sapo ka arkëtuar 120 milionë euro nga shitja e Griezmann te Barcelona dhe a gati një ofertë gjigante për James.
Atletico ka gati 50 milionë euro për Realin, plus 10 milionë euro në bonuse, me kusht që shifra të paguhet në 5 vite, raportojnë në Spanjë.
Një shifër shumë e rëndësishme, që natyrisht tundon Realin, sepse arka është bosh pas shpenzimeve kolosale të kësaj vere, por problemi i vetëm është që Florentino Perez kërkon para tani dhe jo me këste. Nëse është e vërtetë oferta, mbetet për t’u parë, sepse nuk përjashtohet që të jetë një tymnajë për të trembur Napolin.