“2018-a ka qenë një vit i bukur me shumë evenimente të rëndësishme për Interin, si rikthimi në Ligën e Kampionëve. Unë jam i bindur se skuadra dhe klubi kanë gjithçka duhet për të fituar. Nuk është mendjemadhësi, por besim dhe bindje”.
Edhe pas eliminimit nga kompeticioni prestigjioz, presidenti Stiven Zhang nuk është dorëzuar, por ka përdorur fjalë të qarta në fjalimin e mbajtur gjatë mbrëmjes së fundvitit të Interit. Mesazhi është i qartë, pa gjysmë terma:
“Objektivi ynë është të kthehemi të fitojmë tituj. Jemi përmirësuar shumë në krahasim me pesë vite më parë dhe duhet të vazhdojmë në këtë drejtim. Kur shikoj ndeshjet, ndonjëherë mendoj se jemi të pamposhtshëm, tani ka shumë lojtarë që duan të bashkohen me ne këtu. Do arrijmë t’i shkelim të gjithë, në fushë dhe jashtë saj”, përfundoi Zhang Jr.
Edhe pa Champions-in, për Spallettin dhe lojtarët e tij kanë ende trofe në dispozicion: Liga e Europës (ku shorti i vendosi përballë Rapidit të Vienës për 1/16-at: kompeticion që zikaltrit e kanë fituar tri here); por edhe Kupa e Italisë, e fituar 7 herë.