Pas katër muajsh mes gëzimeve dhe zhgënjimeve, aventura e Gonzalo Higuain te Milani mund të përfundojë tashmë.
Lojtari argjentinas është kthyer në fokusin e Chelsea, klub i cili, sipas “Sky Sports”, është i interesuar për ta marrë në Londër që në janar.
“Blutë” e Londrës po kërkojnë një sulmues të kalibrit ndërkombëtar dhe me shumë gola në këmbë. Në verë u fol për një afrim mes dy palëve, me trajnerin Sarri ndërmjetës. Por, marrëveshja e Milanit me Juventusin bëri që argjentinasi të kalojë në “San Siro”. Të detyruar, drejtuesit e Chelsea vendosën të qëndronin me Olivier Giroud dhe Alvaro Morata.
Golat e paktë të francezit dhe spanjollit në gjysmën e parë të sezonit, vetëm 6 të tillë në Premier League, e kanë bindur Sarrin dhe klubin që të investojnë në një sulmues tjetër, që ka shënuar rreth 30 gola në sezon. Pra, të jetë i sprovuar. I përzgjedhuri për këtë rol do të ishte Higuain, i cili në Londër do të gjente Maurizio Sarri, trajner me të cilin ka përjetuar sezonin më të mirë në Serie A, me 36 gola, sa ishte pjesë e Napolit.
Në rast të një operacioni të tillë mes Chelsea dhe Milanit, në lojë mund të përfshihet Alvaro Morata, sulmues i tentuar për t’u marrë nga kuqezinjtë në verë, por mbeti në Londër. Pas një starti të mirë të sezonit, ish-lojtari i Juventusit dhe Realit ka pasur fare pak ndikim në skuadër, madje edhe ka qëndruar jashtë saj.
Ai do të përfshihet në operacion, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, sepse Juventusi mban aktualisht kartonin e Higuain. Milani e ka marrë në huazim “El Pipita” për 18 milionë euro, me të drejtën e blerjes përfundimtare, duke derdhur edhe 36 milionë të tjera në arkën bardhezi, raporton telesporti.
Pra, për të përfunduar marrëveshja mes Milanit dhe Chelsea, do të jetë e nevojshme edhe miratimi i “Zonjës së Vjetër”, që sipas “Sky Sport”, ende nuk është shprehur paraprakisht.