Arsenali është bërë i vetëdijshëm se duhet të shpenzojë 80 milionë euro për të siguruar nënshkrimin e lojtarit të krahut të Lille, Nicolas Pepe.
23-vjeçari i talentuar është shfaqur si një objektiv për skuadrat e mëdha në të gjithë Europën.
Drejtuesit e klubit nga “Emirates” janë duke diskutuar detajet se si do të formulojnë e zyrtarizojnë ofertën për ndërkombëtarin e Bregut të Fildishtë.
Lille, megjithatë, është e vetëdijshme se ka një pasuri të çmuar në duar dhe nuk do të ndahet lehtë me Pepe, nëse nuk plotësohen kërkesat e saj financiare.
Drejtori sportiv i klubit të Ligue 1, Luis Campos, i tha “Telefoot” për Pepe: “Unë shpresoj se do të qëndrojë, nuk do të largohet merkaton e këtij dimri. Ne do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur. Të gjitha klubet më të mira në botë i kanë sytë mbi të, dhe kjo është normale, por presidenti ka qenë i qartë.
Ideja është që ai të vazhdojë në klubin tonë. Përkundrazi, me përvojën time në futboll, do të thosha që, nëse një klub e bind lojtarin, atëherë ne do ta shisnim atë për 80 milionë euro. Ky është çmimi, por më parë të interesuarit duhet të bindin lojtarin. Ai ka qenë një forcë e madhe për ne, ndaj jemi në vendin e dytë”.
Në vetëm 19 ndeshje të Ligue 1, këtë sezon, Pepe ka kontribuar me 12 gola dhe 5 asiste. Pikërisht ky produktivitet e ka vendosur atë në qendër të interest të klubeve të mëdha europiane.
Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, i cili e njohu mirë këtë futbollist gjatë kohës së tij në krye të PSG, thuhet se është një tifoz i madh i Pepe.