Procesi mësimor në këtë vit shkollorë filloi më dy javë vonesë, e pushimi dimërorë u zgjatë më shumë.
Kështu nxënësit kanë humbur këtë vit 23 ditë të mësimit.
E nga Ministria e Arsimit kanë thënë për Gazetën Infokus se këto ditë të humbura do të zëvendësohen.
Këto vit nuk do të këtë pushim pranverore, si dhe gjatë të shtunave nxënësit do të ndjekin procesin mësimor.
“Zgjatja e pushimit dimëror bazuar në gjendjen me virus është përshkruar në vendimin e ministrit për ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2020/2021 të datës 17.12.2020. MASh ka paraparë që nuk do të ketë pushim pranveror dhe kështu 9 ditët e humbura të mësimit në periudhën e parë dhe të dytë do të zëvendësohen me ditët e pushimit pranveror dhe katër ditët e mbetura në ditët e shtune (të cilat do të harmonizohen dhe planifikohen nga komunat), që nënkupton se i gjithë programi do përmbushet sipas planifikimit. Gjithashtu nga MASh janë përgatitur dhe shpërndarë në shkolla udhëzues për mësimdhënës për angazhimin në mësimin plotësues për nxënësit që cilët kanë mbetur mbrapa me mësime, e të cilat parashihet të mbahet gjatë periudhës së pushimit, por jo më gjatë se shtatë ditë, që nënkupton pa ua mohuar të drejtën e pushimit nxënësve”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Diellza Kukaj.
Se ditë e humbura duhet të zëvendësohen e thotë edhe drejtori i Instituti ED-Guard, Rinor Qehaja.
“Për vitin shkollor 2020/21 tashmë i kemi 10 ditë mësimi të humbura nga kalendari shkollor, këto, duhet domosdo të zëvendësohen, pasi që të njëjtat paraqesin rezultat të pa arritur nga nxënësit nga plan programi mësimor. Në anën tjetër, përkundër që mësimi është mbajtur për një pjesë të madhe nga Shtatori mësim nxënia ka qenë shumë e cunguar nga kufizimet në procesin mësimor”, ka thënë ai për Infokus.
Derisa gjysmëvjetori i dytë do të fillojë me 18 janar ashtu edhe siç është planifikuar.
“Sipas vendimit të ministrit për ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2020/2021 në arsimin parauniversitar, periudha e dytë e vitit shkollor fillon me datë 18.01.2021. Ashtu siç është planifikuar periudha e pushimit është duke u shfrytëzuar për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave ndërkaq, MASh ka filluar procedurat për përkrahje të shkollave në ofrim të kushteve të sigurta për mbajtje të mësimit me prezencë.”, ka thënë Kukaj.
Gjithashtu, MASh sipas Kukaj nga burimet e veta financiare dhe donator të ndryshëm është duke pajisur në vazhdimësi nxënësit dhe mësimdhënësit me pajisje teknologjike të cilat ndihmojnë në organizimin e mësimit në rrethanat me pandeminë.