Fjalë Kyçe

A do t`i përgjigjen ftesës së Kurtit për takimin rreth dialogut – flasin nga opozita

A do t`i përgjigjen ftesës së Kurtit për takimin rreth dialogut – flasin nga opozita

Takimet në kuadër të procesit të dialogun Kosovë-Serbi ka mundësi të fillojnë nga qershori i këtij viti, pas pezullimit të tij që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës dyditore në Bruksel ka njoftuar se në maj do të takohet më përfaqësues të partive opozitare në vend për të marrë mendimet e tyre për dialogun.

Lidhur me atë se a do t`i përgjigjen ftesës së Kurtit për takim, shefi i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare në vend – PDK, Abelard Tahiri, ka thënë se ata nuk kanë pranuar ende ndonjë ftesë nga Kurti për këtë çështje, njofton Klan Kosova.

“Ne nuk kemi pranuar ende asnjë ftesë nga Z. Kurti, mendoj se në rast se do ta kishte seriozisht koordinimin me opozitën do të duhej ta bënte para se të udhëtonte për në Bruksel. Vizita e tij në Bruksel i ka shërbyer kryekëput dialogut. Nëse ai do të ishte i sinqertë një seancë të tillë paraprakisht do të duhej ta kishte thirr para se të shkonte në Bruksel. Ai duhet ta bëjë të ditur agjendën e tij, platformën dhe cilat janë temat që Qeveria do t’i prezantoj në Bruksel që do të diskutohen në takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së dhe SHBA-ve. Nuk po shohim një transparencë, një seriozitet dhe sinqeritet nga Z. Kurti në këtë proces. Vendi i vetëm ku duhet të ndodhin takimet të tilla duhet të jetë Kuvendi, takimet të vogla për takime të tilla nuk duhet të ndodhin në kafe të Prishtinës”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Klankoosova.tv ka kontaktuar edhe me Shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili ka theksuar se nuk e komenton deklaratën e Kurtit për opozitën dhe dialogun.

“Nuk i komentoj deklaratat e tilla derisa nuk është ndonjë veprim”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, Lulzim Blakaj, zëdhënës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ka pohuar për klankosova.tv se as ata nuk kanë pranuar deri tani një ftesë të tillë nga Kurti për takim.

“Kjo është pyetje hipotetike. Një kërkesë e tillë nuk ka ardhur në Aleancë. Mund të përgjigjemi vetëm kur të kemi një kërkesë të tillë dhe pas trajtimit të saj nga organet e Aleancës. Të presim nëse do të ketë ftesë dhe si e ka paraparë KM Kurti konsultimin, në çfarë formati. AAK do të kryejë obligimet që i takojnë si parti opozitare në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Blakaj.

Kurti është rrugës për në Kosovë, ku në orën 20:30 pritet ta mbledh kabinetin qeveritar, derisa agjenda e takimit akoma nuk dihet.