Raporti i cili e dokumenton që ushtria serbe kishte përdorur armë kimike në Betejën e Koshares është publikuar sot.
Në këtë raport thuhet se ushtria serbe ka përdorur gaz ‘BZ’ dhe të ngjashëm me këtë kundër ushtarëve të UÇK-së.
Raporti në fjalë është hartuar gjatë muajit maj të vitit 1999 nga profesor A. Heyndricks dhe nga doktori, Haxhi Kamberi.
Mirëpo, ky raport edhe pse i ishte adresuar sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan 20 vite më parë, nuk është publikuar asnjëherë.
Për këtë, Kamberi për lajmi.net ka thënë se nuk është publikuar asnjëherë më parë pasi ka qenë kërkesë e profesorit të mos publikohet.
I pyetur se çfarë ka ndodhur me këtë raport dhe sa është marrë parasysh nga OKB, Kamberi ka thënë se nuk është në dijeni pasi me dorëzimin e tij është marr profesori në fjalë.
“Ne e kemi kryer punën tonë, ekzaminimet laboratorike i kemi siguruar analizat e gjakut, analizat toksikologjike, ekzaminimin e pacientëve, bombat të cilat janë përdor, ndërsa raporti e ato kanë qenë pjesë e profesorit që i ka dërgu dhe ai ka qenë në kontakt për to”, ka theksuar Kamberi.
Në fund ai ka shtuar se raporti i publikuar është zyrtar. Sipas tij, ky shkrim ka për qëllim të hedhë dritë mbi veprimet gjenocidiale serbe.